Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka pritur në një takim lamtumirës kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Sipas njoftimit të BE-së, gjatë takimit Palatova i ka përsëritur Kurtit thirrjen e Bashkimit Evropian për formimin e institucioneve të Kosovës dhe tejkalimin e ngërçit politik.
Në takim është diskutuar edhe për avancimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes së BE-së për zhvillimin e Kosovës.
“Duke i dhënë lamtumirën Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, përsëriti thirrjen e BE-së për formimin e institucioneve të Kosovës, tejkalimin e ngërçit politik, avancimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes të BE-së për zhvillimin e Kosovës si një vend shumetnik që aspiron anëtarësimin në BE”, thuhet në njoftim.
BE-ja ka theksuar se mbetet partneri më i fuqishëm i Kosovës.