BE-ja konfirmon tekstin e plotë të propozimit evropian që ishte publikuar nga RTV Dukagjini

RTV Dukagjini kishte siguruar planin e zbatimit të planit evropian në mes të Kosovës dhe Serbisë, më 14 shkurt të vitit 2023

FOTO:Reuters

Pak orë pas takimit në Bruksel, Bashkimi Evropian ka publikuar tekstin e plotë të propozimit evropian.

Përmbajtjen ekskluzive të këtij dokumenti e kishte siguruar Dukagjini.com më 14 shkurt të vitit 2023.

Në nenin e parë të kësaj marrëveshjeje thuhet se të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Po ashtu, palët do të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore.

Në këtë marrëveshje thuhet se asnjëra nga të dyja palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj dhe se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerat të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre.

Neni 1

Palët do të zhvillojnë raporte normale, të mira fqinjësore me njëra-tjetrën në bazë të të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet të vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, posaçërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë së tyre, autonomisë dhe integritetit territorial, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3

Në pajtueshmëri me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin secilin mospajtim mes tyre vetëm me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjë palë nuk do të bllokojë, apo inkurajojë tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën drejt BE-së bazuar në meritat e veta. Dyja palët duhet të respektojnë vlerat referuara në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Përderisa kjo marrëveshje bazë paraqet një hap të rëndësishëm të normalizimit, të dyja palët do të vazhdojnë me një nxitje të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE, i cili do të çojë deri tek marrëveshja ligjërisht obliguese, gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Palët pajtohen të thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, raportet në drejtësi dhe vendosje të ligjit, postë dhe telekomunikim, shëndetësi, kulturë, religjion, sport, ruajtje të mjedisit, persona të pagjetur dhe fusha tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të dakordohen në marrëveshjet shtesë të ndihmuara nëpërmjet dialogut të udhëhequr nga BE-ja.

Neni 7

Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misionet e përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse qeveritare.

Çështjet praktike të lidhura me vendosjen e misioneve do të adresohen ndaras.

Neni 9

Të dyja palët marrin në dijeni përkushtimin e BE-së dhe të donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë speciale të asistencës financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, konektivitetin, tranzicionin e gjelbër dhe fushat e tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të themelojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë obligimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara.

Neni 11

Dyja palët pranojnë të respektojnë udhërrëfyesin e implementimit të aneksuar në këtë marrëveshje.

 

EKSKLUZIVE – Ky është plani i zbatimit të planit evropian

Bashkimi Evropian, ka publikuar edhe detajet e takimit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel.

Sipas njoftimit, në fokus të takimit ishte diskutimi i propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se ky është një zhvillim i rëndësishëm dhe domethënës, sepse që nga vera e kaluar, BE përfshirë në menaxhimin e krizave, duke u fokusuar vetëm tek krizat: njëra pas tjetrës, duke u përpjekur të kontrollojmë tensionet në terren.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika