BE-ja: Kosova ta formojë Asociacionin

Zëdhёnёsi i BE-së, Peter Stano, nuk ka komentuar kushtet qё i nxori kryeministri Albin Kurti të enjten pёr formimin e Asociacionit. Nё kёtё rrafsh ai vetёm ka rikujtuar qëndrimin e BE-së pёr urgjencën për formimin e Asociacionit tё komunave me shumicё serbe nё Kosovё

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

Bashkimi Evropian ka përsëritur kërkesën e tij që Kosova ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

I pyetur nga REL për kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për themelimin e Asociacionit, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u shpreh se blloku nuk i komenton “të gjitha prononcimet e të tjerëve”.

Ai tha se e përsërit “urgjencën që për BE-në ka lëvizja përpara e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, një prej të cilave është edhe ajo për Asociacionin”.

Kurti, i cili deri më tani ka kundërshtuar fuqishëm krijimin e Asociacionit njëetnik, të enjten i shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushtet për formimin e tij.

Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa u përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.

Kurti po ashtu ka kërkuar që të shuhen strukturat ilegale në veri dhe të bëhet dorëzimi i armëve, si dhe Serbia të tërheqë letrat dërguar pesë shteteve mosnjohëse të BE-së për mospranimin e Kosovës në bllokun evropian. Kurti kushtëzoi themelimin e Asociacionit edhe me përfshirjen e tij në një marrëveshje eventuale finale me Serbinë, dhe të zbatohet pas njohjes së ndërsjellë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka cilësuar “përrallë” kushtet për Asociacionin. Në një seancë të Kuvendit të Serbisë, gjatë diskutimeve për Kosovën, Vuçiq ka thënë se Kurti në fakt “nuk do të formojë Asociacionin”.

BE-ja e ka thënë disa herë se marrëveshja e cila parasheh formimin e Asociacionit është obligim ndërkombëtar i Kosovës dhe se ajo duhet të implementohet.

Në anën tjetër edhe SHBA-ja e ka vlerësuar si prioritet kryesor formimin e Asociacionit dhe për këtë çështje ka organizuar edhe një diskutim më 31 janar.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë nënshkruar më 2013 marrëveshjen për formimin e Asociacionit, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Më 2015 është nënshkruar një marrëveshje tjetër, për siç është thënë, parimet e këtij Asociacioni.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se 23 pika të Marrëveshjes mbi parimet për themelimin e Asociacionit, nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit. Por, gjykata tha se ato mund të harmonizohen.​

 

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika