Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje të thellë për vendimin e djeshëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të mos lejuar kthimin e gjyqtarëve serbë, të cilët ishin larguar para disa vitesh nga sistemi gjyqësor i Kosovës.
BE-ja, nëpërmjet një reagimi, ka rikujtuar se vazhdimisht ka bërë thirrje për riintegrimin e personelit gjyqësor serb në institucionet e Kosovës, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet e Dialogut, njofton Dukagjini.
“Sipas Kushtetutës së saj, Kosova është një shoqëri multietnike e qeverisur nga sundimi i ligjit, ndërsa sistemi i saj i drejtësisë duhet të pasqyrojë diversitetin etnik të Kosovës. Bashkimi Evropian (BE) ka bërë vazhdimisht thirrje që Kosova të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor serb të Kosovës, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut. BE-ja ka mirëpritur tërheqjen, më 15 korrik 2026, të dorëheqjeve të paraqitura nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb i Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Sipas BE-së, kjo vjen pas vendimeve të ngjashme të marra nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe presidentja në detyrë në muajin korrik, lidhur me dorëheqjet e prokurorëve serbë të Kosovës.
“Këto vendime duket se janë të papajtueshme me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt ligjor dhe kërkesat e përgjithshme për sundimin e ligjit në Kosovë”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Sipas Bashkimit Evropian, Kosova ka obligim për të siguruar riintegrimin e strukturave serbe në strukturat e Kosovës edhe nga procesi i dialogut për normalizimin e raporteve.
“BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve përkatës që të krijojnë kushtet për një gjyqësor multietnik, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt ligjor dhe zotimet e bëra në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, përfundon deklarata.