BE-ja nis procedura të reja ligjore kundër MB-së mbi Irlandën veriore

Brukseli zyrtar ka reaguar me procedura ligjore ndaj Londrës, për dështimin e saj në zbatimin e kushteve të shkëputjes nga Brexit për të rregulluar tregtinë me Irlandën e Veriut

Selia e Komisionit Evropian

Komisioni Evropian ka nisur të premten katër procedura të reja shkeljeje kundër Britanisë së Madhe, për dështimin e Londrës në zbatimin e kushteve të shkëputjes nga Brexit për të rregulluar tregtinë me Irlandën e Veriut.

Ekzekutivi i BE-së akuzon Londrën për mospërputhje me kërkesat e aplikueshme doganore, kërkesat e mbikëqyrjes dhe kontrollet e rrezikut në lëvizjen e mallrave nga Irlanda e Veriut në Britaninë e Madhe, njofton AFP.

Ai gjithashtu thotë se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka dështuar të zbatojë rregullat e BE-së për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për tregtinë elektronike dhe nuk ka njoftuar se do të zbatojë rregullat e BE-së në lidhje me taksat indirekte, veçanërisht për alkoolin dhe pijet alkoolike.

Mbretëria e Bashkuar ka tani dy muaj për t’iu përgjigjur letrave nga Brukseli që kërkonin “veprime të shpejta korrigjuese për të rivendosur përputhjen me kushtet e Protokollit”.

Nëse përgjigja është e pakënaqshme, atëherë Komisioni mund ta referojë çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Këto katër procedura të reja kundërvajtëse i shtohen tre procedurave të nisura tashmë muajin e kaluar.

Këto kishin të bënin me projektligjin e Mbretërisë së Bashkuar për të anashkaluar në mënyrë të njëanshme pjesë të traktatit ndërkombëtar, mungesën e vazhdueshme të infrastrukturës dhe personelit për të kryer kontrollet doganore në MB dhe dështimin e Londrës për të ndarë të dhënat tregtare siç kërkohet nga Protokolli.

Ndërsa, komisioni konfirmoi të premten se nuk kanë marrë ende një përgjigje nga Britania e Madhe.

Protokolli i Irlandës së Veriut – një marrëveshje kyçe e Brexit që e lë Irlandën e Veriut brenda Tregut të Vetëm të bllokut – ka qenë një burim i mosmarrëveshjeve të vazhdueshme midis Londrës dhe Brukselit, që kur Mbretëria e Bashkuar u largua zyrtarisht nga Bashkimi Evropian më 1 janar 2021.

Protokolli kërkon kontrolle për mallrat që mbërrijnë në Irlandën e Veriut nga Anglia, Skocia dhe Uellsi, për të gjurmuar produktet që potencialisht mund të drejtohen në tregun e vetëm të bllokut nëpërmjet Republikës së Irlandës.

Kjo krijon një kufi doganor poshtë Detit Irlandez, duke e mbajtur Irlandën e Veriut në orbitën doganore të BE-së për të shmangur një kufi të fortë, politikisht të ndjeshëm midis territorit britanik dhe anëtarit të BE-së, Irlandës.

Shija e redaktorit

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 446 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Rama e quan “hap historik” votimin Pro anëtarësimit të Kosovës...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka konsideruar si hap historik votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës(KiE) që i hap rrugë anëtarësimit...

Të fundit nga rubrika