Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, është pyetur rreth deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Hipper ka thënë se deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë në përputhje me objektivin e Bashkimit Evropian për një raport normal mes dy vendeve.
“Do të filloj me çështjen kryesore dhe deklaratat e bëra, duke i përfshirë ato për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit, veprime që nuk e mbështesin objektivin për të pasur një raport normal mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Hipper.
Ajo ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Kjo mund të bëhet vetëm përmes dialogut. Gjithashtu, ju rikujtojmë se progresi në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës është parakusht për secilën palë në progresin e tyre në rrugën evropiane”, ka thënë zëdhënësja e BE-së.