BE-ja vendos rregulla për inteligjencën artificiale, si do të ndikojnë ato te njerëzit?

Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) punuan deri në orët e vona javën e kaluar, për ta arritur një marrëveshje për rregullat botërore, sipas të cilave, duhet të përdoret inteligjenca artificiale (AI) në bllokun me 27 vende anëtare

Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) punuan deri në orët e vona javën e kaluar, për ta arritur një marrëveshje për rregullat botërore, sipas të cilave, duhet të përdoret inteligjenca artificiale (AI) në bllokun me 27 vende anëtare.

Akti i Inteligjencës Artificiale është seti i fundit i rregullave të përcaktuara për ta qeverisur teknologjinë në Evropë, e cila do të ketë ndikimin global.

Më poshtë mund ta lexoni një shpjegim të këtyre rregullave të AI-së.

Çfarë është Akti AI dhe si funksionon?

Akti AI vlerëson dhe analizon rreziqet e produkteve apo të shërbimeve, të cilat përdorin inteligjencë artificiale dhe përqendrohet në rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në vend se të teknologjisë. Legjislacioni është bërë për t’i mbrojtur demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, siç është liria e shprehjes, duke nxitur investime dhe inovacion në të njëjtën kohë.

Sa më i rrezikshëm që të jetë aplikacioni, aq më të ashpra do të jenë rregullat. Ato të cilat përbëjnë rrezik të vogël, siç janë sistemet që rekomandojnë përmbajtje, apo filtrat e përmbajtjeve të rrezikshme, detyrohen të ndjekin rregulla të lehta, si për shembull të tregojnë se mundësohen nga AI-ja.

Sistemet me rrezikshmëri të lartë, siç janë mjetet mjekësore, përballen me kërkesa më të forta si, përdorimin e të dhënave të cilësisë së lartë dhe ofrimin e të dhënave të qarta për përdoruesit.

Përdorimi i disa AI-ve është i ndaluar, sepse vlerësohet se ato përbëjnë rrezik të papranueshëm, si për shembull sistemet për notimin e shoqërisë të cilat i kontrollojnë sjelljet e njerëzve, disa lloje të sistemeve për zbulimin e aktiviteteve të mundshme kriminale dhe sistemet për njohje emocionale në shkollë dhe në vend të punës.

Njerëzve në publik nuk mund t’iu skanohet fytyra nga policia me sisteme për “identifikim biometrik” të mundësuara nga AI-ja, përveç në rastet e krimeve serioze si, rrëmbimi apo terrorizmi.

Akti i AI-së do të futet në fuqi vetëm dy vjet pasi ligjvënësit evropianë ta kenë dhënë miratimin final, i cili pritet të hidhet në votim në fillim të vitit 2024.

Shkeljet mund të dënohen me gjoba deri në 35 milionë euro, apo 7 për qind të të hyrave globale të kompanisë.

Si do të ndikojë akti i AI-së në pjesën tjetër të botës?

Akti i AI-së do të vlejë për rreth 450 milionë banorët e BE-së, por ekspertët thonë se ndikimi i tij mund të shtrihet shumë më larg, për shkak të rolit udhëheqës të Brukselit për të vendosur rregulla të cilat vlejnë si standard global.

BE-ja e ka luajtur këtë rol më parë me rregulla të kaluara të teknologjisë, më e veçuara është bërja detyrim e prizës së përbashkët për mbushje, e cila e detyroi kompaninë Apple të heqë dorë nga kablloja e vet për mbushësit e produkteve të saj.

Derisa shumë vende të tjera po mendohen nëse duhet dhe si ta frenojnë AI-në, rregulloret gjithëpërfshirëse të BE-së pritet të shërbejnë si udhërrëfyes.

“Akti AI është rregullorja e parë botërore gjithëpërfshirëse, horizontale dhe detyruese e inteligjencës artificiale, e cila jo vetëm që do t’i ndryshojë gjërat në Evropë, por me shumë gjasa do ta rrisë momentumin global për ta rregulluar AI-në nëpër juridiksione”, tha Anu Bradford, eksperte e ligjeve të BE-së dhe rregulloreve digjitale.

“Kjo e vë BE-në në pozitë të veçantë për të qenë lidere dhe për t’i treguar botës se AI-ja mund të qeveriset dhe se zhvillimi i saj mund të jetë subjekt i monitorimit demokratik”, tha ajo.

Duke mos e ndaluar plotësisht teknologjinë e njohjes së fytyrës në kohë reale, Brukseli “praktikisht i ka dhënë dritën e gjelbër vëzhgimit digjital distopik në 27 vendet anëtare të BE-së, duke e vendosur një precedent shkatërrues në gjithë botën”, tha Amnesty International.

Ndalesa e pjesshme është “një mundësi e humbur për ta ndalur dhe parandaluar dëmin kolosal ndaj të drejtave të njeriut, hapësirës civile dhe sundimit të ligjit, të cilat janë të kërcënuara tashmë nëpër BE”.

Amnesty e ka vajtuar edhe dështimin e ligjvënësve për ta ndaluar eksportin e teknologjive të AI-së të cilat mund t’i dëmtojnë të drejtat e njeriut – përfshirë përdorimin e notimit të shoqërisë, diçka që e bën Kina për t’i shpërblyer ata që i binden shtetit përmes vëzhgimit.

Çfarë po bëjnë vendet e tjera për rregulloren e AI-së?

Dy fuqitë më të mëdha të AI-së në botë, SHBA dhe Kina, kanë nisur t’i përpilojnë ligjet e veta.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e nënshkroi një urdhër ekzekutiv për AI-në në tetor, i cili pritet të forcohet nga legjislacioni dhe marrëveshjet globale.

Urdhri u kërkon zhvilluesve kryesorë të AI-së t’i këmbejnë me Qeverinë rezultatet e testeve të sigurisë dhe të dhënat e tjera. Agjencitë do të krijojnë standarde për t’u siguruar se mjetet e AI-së janë të sigurta para se të publikohen për përdorim publik.

Kina, ndërkohë, ka publikuar “masa të përkohshme” për menaxhimin e AI-së së përgjithshme, të cilat vlejnë për përmbajtje si, tekst, fotografi, audio, video dhe të tjera të cilat prodhohen për njerëzit brenda Kinës.

Si do të ndikojë Akti i AI-së ndaj ChatGPT?

Rritja e paparë e ChatGPT të Open AI-së tregoi se teknologjia po shënon përparime tejet të mëdha dhe i detyroi politikbërësit evropianë ta përditësojnë propozimin e tyre.

Akti i AI-së përfshin provizione për chatbot-at dhe sistemet e tjera të ashtuquajtura sisteme të AI-së për qëllime të përgjithshme, të cilat mund të kryejnë detyra të shumta, nga shkrimi i poezive deri te krijimi i videove dhe shkrimi i kodeve kompjuterike.

Shumica e sistemeve për qëllime të përgjithshme përballen me kërkesa themelore për transparencë si, publikimin e hollësive për të dhënat e tyre qeveritare dhe të tregojnë se sa shumë energji kanë përdorur për t’i trajnuar modelet në një gamë të gjerë të veprave të shkruara dhe imazheve të fshira nga interneti.

Ato, po ashtu, duhet t’i përmbahen ligjit të BE-së për të drejtat e autorit dhe ta përmbledhin përmbajtjen që e kanë përdorur për trajnime.

Me rregulla më të ashpra do të përballen sistemet më të avancuara të AI-së me fuqinë më të madhe kompjuterike, të cilat përbëjnë “rreziqe sistematike” që zyrtarët duan të mos i lejojnë të përhapen në shërbime që ndërtohen nga zhvilluesit e softuerit./REL

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika