BE kërkon 140 miliardë dollarë për t’i mbojtur konsumatorët nga kriza e energjisë

Bashkimi Evropian ka kërkuar rreth 140 miliardë dollarë nga firmat e energjisë, për t'i ndihmuar familjet dhe bizneset nga kriza e energjisë

Flamujt e Bashkimit Evropian valëviten jashtë selisë së Komisionit të BE-së, në Bruksel

Ekzekutivi i Bashkimit Evropian, të mërkurën, përshkroi planet për të mbledhur më shumë se 140 miliardë dollarë nga firmat e energjisë, për t’i ndihmuar familjet dhe bizneset nga rritja e çmimeve që kërcënojnë recesionin ekonomik dhe paaftësinë paguese.

Çmimet evropiane të gazit dhe energjisë janë rritur këtë vit pasi Rusia ka zvogëluar eksportet e karburantit, për t’u hakmarrë ndaj sanksioneve perëndimore për pushtimin e saj në Ukrainë, duke i lënë shumë njerëz në vështirësi për t’i paguar faturat dhe ndërmarrjet komunale, duke u përballur me një krizë likuiditeti.

Kryeekonomisti i Bankës Qendrore Evropiane ka deklaruar se këto çmime të larta mbeten një “forcë dominuese lëvizëse e inflacionit” në zonën e euros.

Qeveritë evropiane janë përgjigjur me masa që variojnë nga kufizimi i çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit për konsumatorin tek ofrimi i kredive dhe garancive për ofruesit e energjisë në rrezik kolapsi.

“Shtetet anëtare të BE-së kanë investuar tashmë miliarda euro për t’i ndihmuar familjet e cenueshme. Por ne e dimë se kjo nuk do të jetë e mjaftueshme,” i ka thënë Parlamentit Evropian, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkruan Reuters.

Në hapa të veçantë për t’i mbrojtur konsumatorët nga inflacioni rekord, Franca njoftoi kufijtë e rinj të çmimeve të energjisë për vitin 2023, ndërsa Danimarka përgatiti tavanet e saj të përkohshme për faturat e energjisë.

Në Gjermani, Uniper, importuesi i saj më i madh i gazit rus, tha se qeveria mund të marrë një aksion kontrollues për ta ndihmuar atë të përballet me krizën. Ndërsa, një grup lokal i industrisë së shërbimeve publike paralajmëroi për falimentime midis kompanive të energjisë.

Propozimi i Komisionit Evropian përfshin kufizimin e të ardhurave nga gjeneruesit e energjisë elektrike që kanë përfituar nga çmimet më të larta, por që nuk mbështeten te gazi. Ai përfshinte gjithashtu masa për të detyruar firmat e karburanteve fosile t’i ndajnë fitimet e papritura nga shitja e energjisë.

“Në këto kohë është e gabuar të marrësh të ardhura dhe fitime të jashtëzakonshme rekord që përfitojnë nga lufta dhe në kurrizin e konsumatorëve tanë,” tha von der Leyen.

Qeveritë kombëtare do të jenë përgjegjëse për rikuperimin e të ardhurave të tepërta dhe rikanalizimin e tyre në masa që mund të përfshijnë uljen e faturave të energjisë elektrike ose ndihmën e konsumatorëve për të investuar në masat e kursimit të energjisë, si izolimi i shtëpisë.