BE-ja kërkon nga Lista Serbe ta rishikojë vendimin për mospjesëmarrje në votimet e 21 prillit
Bashkimi Evropian (BE) ka bërë thirrje ndaj Listës Serbe për ta rishikuar vendimin e tyre për mospjesëmarrje në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, kishte njoftuar më 7 prill se nuk do të marrë pjesë […]
Bashkimi Evropian (BE) ka bërë thirrje ndaj Listës Serbe për ta rishikuar vendimin e tyre për mospjesëmarrje në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, kishte njoftuar më 7 prill se nuk do të marrë pjesë në referendum për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, i cili është caktuar për 21 prill.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, ka theksuar se zgjedhjet e reja janë hap në drejtim të një qeverisjeje gjithëpërfshirëse në veri të Kosovës dhe në deeskalimin e situatës.
“Kemi parë shqetësimet e ngritura nga komuniteti serb në lidhje me procesin e ri. Megjithatë, i bëjmë thirrje Listës Serbe që të rishikojnë vendimin e tyre për të mos marrë pjesë, pasi demokracia ka të bëjë me pjesëmarrjen, dhe për elektoratin serb në Kosovë që shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të shprehin qëndrimet e tyre politike në kutitë e votimit. BE-ja rikujton se është shumë e rëndësishme që zgjedhje gjithëpërfshirëse në të cilat serbët e Kosovës marrin pjesë pa kushte, mbahen në 4 komunat veriore dhe zgjedhjet e reja për kryetar do të sigurojnë gjithëpërfshirje në qeverisjen lokale në veri, të ndihmojnë në deeskalimmin e situatës dhe BE-ja e sheh këtë votim si hap në këtë drejtim”, ka thënë Massrali.
BE-ja kundërshton bojkotimin e serbëve në regjistrimin e popullsisë në Kosovë
Po ashtu, zëdhënësja e BE-së ka shprehur keqardhjen për vendimin e përfaqësuesve serbë të Kosovës që kanë thirrur serbët të mos marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë.
Ajo ka theksuar rëndësinë e të dhënave të përditësuara të popullsisë, duke argumentuar se kjo, jo vetëm që ndihmon në shpërndarjen e drejtë të resurseve dhe planifikimin e shërbimeve publike, por gjithashtu është e nevojshme për krijimin e politikave adekuate.
“Vendimi i përfaqësuesve serbë të Kosovës që u kanë bërë thirrje serbëve që të mos marrin pjesë në regjistrim është për keqardhje. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ketë të dhëna të përditësuara të numrit të popullsisë. Pasi, jo vetëm që ndihmon në shpërndarjen e drejtë të resurseve për komunat, por ndihmon në krijimin e politikave adekuate, planifikimin e shërbimeve publike dhe adresimin e nevojave konkrete të grupeve të ndryshme demografike”, ka deklaruar ajo.
Massrali ka shtuar se regjistrimi, gjithashtu, kontribuon në procesin e vendimmarrjes për zhvillim të qëndrueshëm dhe për të adresuar nevojat e qytetarëve.
“Regjistrimi gjithashtu ndihmon qeverinë, bizneset, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë BE-në, në marrjen e vendimeve adekuate dhe krijimin e politikave për zhvillim të qëndrueshëm dhe adresimin e nevojave të qytetarëve”, ka thënë ajo.
Bashkimi Evropian inkurajon të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në regjistrim dhe bën thirrje për autoritetet kompetente, si Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe institucionet e tjera, që të intensifikojnë aktivitetet informuese për të siguruar që të gjithë banorët, përfshirë komunitetet pakicë, të kenë informacion të mjaftueshëm për procesin dhe të ndjekin pjesëmarrjen e tyre në mënyrë të përgjegjshme.















