Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se, më 18 tetor, është arritur marrëveshja teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë në mes të Operatorit  të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe kompanisë serbe, Elektrosever, nga Mitrovica e Veriut.

Marrëveshja ka ndikuar, sipas BE-së, që Elektroseveri t’i dorëzojë të dhënat e konsumatorëve në veri.

“BE-ja ishte njoftuar nga ana e Kosovës për inicimin e fazës 15-ditore të konsultimeve, sipas nenit 8 të Udhërrëfyesit, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Si rezultat i ndërmjetësimit të BE-së, më 18 tetor KOSTT dhe Elektrosever kanë finalizuar dhe nënshkruar marrëveshjen e standardeve teknike, sipas nenit 3 të Udhërrëfyesit. Të njëjtën ditë, Elektroseveri ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve, sipas nenit 2 të Udhërrëfyesit”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i BE-së.

Sipas nenit 8 të Udhërrëfyesit, nëse Elektrosever nuk përmbush kriteret 100 ditë pas marrjes së licencës, atëherë do të zhvillohen konsultime 15-ditore nën ndërmjetësimin e BE-së. Pas kësaj, Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës do të mundë të vendoste për pezullimin apo tërheqjen e licencës të lëshuar ndaj Elektroseverit.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të rëndësishëm që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të zbatojnë pa vonesa të reja obligimet e tyre që kanë mbetur nga Udhërrëfyesi”, është theksuar në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së, dërguar REL-it.

BE-ja ka përfunduar duke thënë se nuk ka kohë për të humbur, pasi sipas tij, stina e dimrit është afruar dhe palët duhet të zbatojnë pa vonesa të gjitha obligimet që dalin nga Udhërrëfyesi.