BE: Kriza politike në Kosovë rrezikon fondet e Planit të Rritjes

Flamuri i Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar politike në Kosovë, e cila ka çuar vendin në edhe një cikël zgjedhjesh. Në një deklaratë me shkrim, dërguar mediave nga zyra e shtypit e BE-së, u rikujtua se Brukseli vazhdimisht u ka bërë thirrje aktorëve politikë që të sigurojnë stabilitet institucional.

“Na vjen keq që partitë politike nuk identifikuan një figurë unifikuese si kandidat për president, çka do të thotë se Kosova tani po shkon drejt zgjedhjeve të treta të përgjithshme në më pak se 18 muaj”, thuhet në këtë prononcim.

Theksohet se është urgjente që Kosova të forcojë dialogun ndërpartiak për të siguruar funksionimin efikas të institucioneve dhe për të mos humbur mundësitë që u sjellin dobi qytetarëve, përfshirë ato në kuadër të Planit të Rritjes.

Ndryshe, mjetet financiare nga Plani i Rritjes mund të humben, si pasojë e kësaj situate. Komisioni Evropian ka alokuar për Kosovën mbi 882 milionë euro. Vendi me vonesë ka marrë mjetet e parafinancimit, për shkak të ngërçit institucional të vitit të kaluar. Këstet e radhës, në vlerë prej mbi 90 dhe mbi 165 milionë euro, janë të kushtëzuara me zbatimin e reformave. Një pjesë e tyre ka afat përfundimtar në qershor, ndërsa pjesa tjetër në dhjetor të këtij viti.

Nga Bashkimi Evropian porositet se ka gatishmëri për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës dhe për të punuar me vendin në çdo fushë, përfshirë Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes. Megjithatë, moszbatimi i reformave rezulton me humbjen e pakthyeshme të mjeteve financiare.

Kosova ka gjithsej 111 hapa reformues për t’i përmbushur deri në fund të vitit 2027, në mënyrë që të përfitojë nga shuma e plotë e mjeteve të alokuara./RTK

Shija e redaktorit

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin...

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Shtëpia botuese “Dukagjini” sjell në gjuhën shqipe 16 libra të...

Secila një histori ndryshe nga tjetra. Të gjashtëmbëdhjetë libra nga krijimtaria e nobelistit gjermano-zviceran, Hermann Hesse, në gjuhën shqipe i gjeni në Librarinë “Dukagjini”. Promovimi i...

Të fundit nga rubrika