BE me apel për Maqedoninë e Veriut: Nuk keni kohë për të humbur

Maqedonia e Veriut rrezikon të izolohet nëse nuk pranon ndryshimet kushtetuese që janë të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), thanë tre ministra të Këshillit të BE-së në Shkup

Ministri i punëve të jashtme i Austrisë, Aleksandër Shallenberg, ministri i punëve të jashtme i Çekisë, Jan Lipavski dhe ministri i punëve të jashtme i Sllovakisë, Mirosllav Vllahovski, dhe Bujar Osamni, Ministri i punëve të jashtme të RMV-së./ Foto: Petr Stojanovski.

Tre ministrat e Jashtëm të Grupit të Vishegradit, ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë, Aleksandër Shallenberg, ministri i punëve të jashtme i Çekisë, Jan Lipavski dhe ministri i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, Mirosllav Vllahovski, të autorizuar nga përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kanë përcjellë në Shkup qëndrimet zyrtare të BE-së lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. Maqedonia e Veriut rrezikon izolimin nëse nuk i pranon ndryshimet kushtetuese, ka vlerësuar kryediplomati austriak, Aleksandër Shallenberg.

“Nëse nuk i pranon ndryshimet kushtetuese dhe nuk vazhdon të ecë drejt rrugës evropiane, Maqedonia e Veriut përballet me rrezikun të jetë e izoluar. Vendi ka pritur 18 vjet që të vijë ky moment. Tani ju takon juve që të përfitoni nga ky moment. Duhet të jeni politikisht përgjegjës dhe mbi të gjitha të keni interesa kombëtare. Momenti është tani dhe ju sigurojmë se nuk po ndërhyjmë në punët e brendshme të vendit”, ka thënë ministri austriak Shallenberg.

Sipas tij, nuk ndodh çdo ditë që tre ministra nga tre anëtarë të BE-së të vijnë në një vend të Ballkanit Perëndimor, “kjo duhet të jetë një mesazh i fortë për ju”, ka theksuar Shallenberg.

“Mesazhi ynë është i thjeshtë dhe i fortë, është një mesazh inkurajimi, nuk ka kohë për të humbur, dëshirojmë që të vazhdoni me ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të nisur negociatat për anëtarësim. Shtyrja e miratimit të amendamenteve do të thotë shtyrje e pranimit të Maqedonisë së Veriut. Do të ishte turp që Shkupi, pas një maratonë të vështirë, të pengohej në pengesën e radhës. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë së bashku dhe kemi kapërcyer shumë vështirësi”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Aleksander Shallenberg.

Ndër të tjera, edhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Bujar Osmani, ka thënë se Maqedonia e Veriut gjendet sërish në udhëkryq.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani

Sidoqoftë, ministri i Punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani, ka shprehur mirënjohjen duke falënderuar për mbështetjen e fuqishme dhe të zëshme të Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë për rrugën evropiane të RMV-së, duke shtuar se këto janë vende mike të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat i njohin mirë zhvillimet aktuale politike në rajon, por edhe kontekstin gjeopolitik në të cilin zhvillohen proceset në Ballkan.

“Zgjerimi i Unionit ballafaqohet me një moment integrues, të cilin nuk duhet ta humbasim. Maqedonia e Veriut nuk duhet të lejojë që të veçohet dhe t’i përkasë grupit të vendeve kandidate ose kandidatëve potencialë që kanë çështje të hapura dhe për të cilat nuk do të ketë shteg të përshpejtuar për anëtarësim në BE. Përkundrazi, do të bëjmë një gabim historik, nëse nuk qëndrojmë në shtegun e tanishëm, në të cilin, me vështirësi u kthyem, pas shumë vitesh pritjeje”, është shprehur ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Për herë të parë na është dhënë çelësi t’i zhbllokojmë vetë kapitujt dhe të vazhdojmë me sukses procesin e negociatave, e ky është një shans, të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut nuk guxon ta anashkalojë, ka vlerësuar Osmani.

Duke folur për domosdoshmërinë e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, për t’i hapur rrugë vazhdimit të procesit të bisedimeve midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, ministri Osmani vuri në dukje përballjen me rezistencën e imponuar nga përfaqësuesit e opozitës, e cila në thelb është joracionale, duke qenë se nuk ndryshon thelbin e rregullimit kushtetues të vendit.

“Javët në vijim deputetët në Parlamentin e RMV-së do të duhet të zgjedhin- të mbështesin ndryshimin e Kushtetutës, që është obligim dhe përfitim yni civilizues, ose do ta mbyllim atë derë me arsyetime, për të cilat më askush nuk do të kujtohet”, tha Osmani.

Ndryshe, përfshirja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës së RMV-së duhet të ndodhë deri në tetor apo në nëntor të këtij viti. Përveç ndryshimeve kushtetuese, Maqedonia e Veriut duhet të plotësojë edhe kritere tjera, që kanë të bëjnë me çështjet e historisë të hapura nga Bullgaria, si ndryshimet në programet e historisë, tekstet e reja, mbishkrimet në disa monumente, tabelat, materialet informative në muze dhe objekte të tjera me rëndësi arsimore dhe kulturore.

Shija e redaktorit

Aksioni i Policisë në veri, konfiskohen rreth 74 milionë dinarë

Policia e Kosovës ka shpalosur detaje shtesë lidhur me aksionin e zhvilluar gjatë ditës së sotme në veri të vendit. Sipas njoftimit të Policisë së...

Melinda Ademi publikon projektin e ri “Kiss me”

Këngëtarja e njohur, Melinda Ademi, ka publikuar projektin e saj më të ri me titullin “Kiss Me”. Kënga e publikuar është me melodi dhe tekst...

Dafina dhe Ylli vazhdojnë t’i “trazojnë ujërat”, pozojnë me...

Këngëtarja e njohur, Dafina Zeqiri, sot ka kapur vëmendjen e të gjithëve me postimin e saj të fundit në rrjetin social "Instagram". "Duar të bashkuara"...

Të fundit nga rubrika