Bashkimi Evropian ka mobilizuar ndihmë emergjente për Francën dhe Spanjën, teksa zjarret masive vazhdojnë të përhapen në të dy vendet, duke detyruar mbi 300 mijë persona të evakuohen ose të strehohen në zona të sigurta.
Sipas Komisionit Evropian, ndihma është aktivizuar përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së dhe përfshin shtatë avionë zjarrfikës dhe katër helikopterë për Francën, të dërguar nga Republika Çeke, Kroacia, Gjermania, Portugalia, Sllovakia, Suedia dhe Turqia.
Ndërkohë, për Spanjën janë mobilizuar gjashtë avionë zjarrfikës nga Greqia, Italia dhe Turqia, ndërsa Portugalia ka dërguar 134 pjesëtarë të personelit dhe 41 automjete për të mbështetur operacionet në terren.
Për të koordinuar ndihmën evropiane me autoritetet franceze, Komisioni Evropian ka vendosur gjithashtu një oficer ndërlidhës në Bordo.
Komisioni bëri të ditur se ekipe zjarrfikësish nga disa shtete anëtare ishin vendosur paraprakisht në Francë dhe Spanjë para nisjes së sezonit të zjarreve, në kuadër të masave parandaluese të BE-së, gjë që ka mundësuar reagim të menjëhershëm pas shpërthimit të vatrave.
Evropa po përballet me një valë të fuqishme zjarresh, veçanërisht në Francë, Spanjë dhe Greqi, të nxitura nga temperaturat e larta dhe kushtet ekstreme të motit.
Në Spanjë, zjarret vazhdojnë të jenë aktive në rajonet Avila dhe Madrid, ku janë djegur rreth 45 mijë hektarë tokë, ndërsa rreth 100 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë ose të strehohen në zona të sigurta.
Në Francë, zjarri i madh që shpërtheu të mërkurën në Saumos të rajonit Gironde ka shkatërruar rreth 42 mijë hektarë dhe ka detyruar evakuimin e afërsisht 220 mijë banorëve.