Përderisa mundësitë për studime dhe shkëmbime akademike mes Kosovës dhe BE-së vazhdojnë të rriten, programet e BE-së si Erasmus+ po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për të rinjtë që kërkojnë përvoja të reja, dije dhe lidhje në mbarë Evropën.
Këto mundësi, bashkë me aspekte të tjera si njohja e diplomave, liria e lëvizjes, të drejtat digjital edhe perspektivat e të rinjve për integrimin evropian, u folën në një diskutim publik të mbajtur të hënën në Fakultetin Filologjik, i organizuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë në bashkëpunim me Institutin e Medias në Universitetin e Prishtinës.
Paneli i diskutimit “Zërat e të rinjve për Evropën” bëri bashkë Prof. Dr. Gëzim Qerimin nga Universiteti i Prishtinës, Mimika Dobroshin, udhëheqëse e zyrës dhe koordinatore e Erasmus+, si dhe Diana Mehmetajn, studente në Universitetin e Prishtinës.
Pjesëmarrësit diskutuan se si të rinjtë në Kosovë mund të përfitojnë nga lidhjet më të afërta me Bashkimin Evropian, veçanërisht përmes arsimit, mobilitetit dhe qasjes më të gjerë në mundësi të reja.
Si pjesë e diskutimit, Mimika Dobroshi foli për rolin e Erasmus+ në lidhjen e të rinjve dhe institucioneve akademike në Kosovë me ato në mbarë Bashkimin Evropian.
“Programi Erasmus+ ndoshta më së miri e jetëson idenë e integrimit evropian përmes ndërtimit të urave mes rinisë, studentëve dhe akademikëve të Kosovës me ata të Bashkimit Evropian. Deri më tani, mbi 12 mijë studentë dhe anëtarë të stafit kanë qëndruar në institucionet e arsimit të lartë në Bashkimin Evropian. Nga viti 2021 deri në vitin 2025, 8.2 milionë euro kanë hyrë në Kosovë përmes projekteve të ndryshme të Erasmus+, duke përfituar institucione të ndryshme,” tha Dobroshi.
Nga këndvështrimi i një studenteje, Diana Mehmetaj tha se kjo temë është veçanërisht e rëndësishme sepse ndikon drejtpërdrejt në jetën dhe në mundësitë e ardhshme të të rinjve në Kosovë.
“Sa përfiton rinia e Kosovës nga integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është një temë shumë e rëndësishme, duke marrë parasysh se të rinjtë tashmë janë të fokusuar të dalin jashtë, të studiojnë jashtë vendit apo të krijojnë vende pune, duke pasur parasysh kushtet që ofrojnë vendet e Bashkimit Evropian. Zakonisht, kur e mendojmë, duket si çështje më shumë politike, por për ne të rinjtë është një çështje që ndikon drejtpërdrejt në jetën tonë,” tha Mehmetaj.
Edhe Prof. Dr. Gëzim Qerimi theksoi se të rinjtë në Kosovë duan mundësi të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre në mbarë Bashkimin Evropian.
“Rinia e Kosovës dëshiron të konkurrojë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në Berlin, Paris, Londër, Romë, Amsterdam e kudo tjetër,” tha Qerimi.
Diskutimi vuri në pah edhe partneritetin mes BE-së në Kosovë dhe Universitetit të Prishtinës, i cili pritet të vazhdojë përmes aktiviteteve të ardhshme, përfshirë Universitetin Veror, që ka për fokus mbështetjen e të rinjve dhe arsimit.
Si partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe donatori më i madh, me më shumë se 3.7 miliardë euro të investuara që nga viti 1999, Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë të rinjtë dhe arsimin përmes mundësive për mësim, shkëmbim dhe zhvillim.
