BE: Nuk ka sanksione, ka masa dhe propozime për një sërë masash
Spektri për masa ndëshkuese është relativisht i gjerë, e ato do të vihen në zbatim vetëm nëse Qeveria e Kosovës nuk ndryshon qasje ndaj kërkesave të Bashkimit Evropian. Paralajmërimet për sanksione, u konfirmuan nga Peter Stano, zëdhënës i BE-së, por u quajtën masa, e të disa prej të cilave tashmë janë në zbatim. “Nuk ka […]
Spektri për masa ndëshkuese është relativisht i gjerë, e ato do të vihen në zbatim vetëm nëse Qeveria e Kosovës nuk ndryshon qasje ndaj kërkesave të Bashkimit Evropian.
Paralajmërimet për sanksione, u konfirmuan nga Peter Stano, zëdhënës i BE-së, por u quajtën masa, e të disa prej të cilave tashmë janë në zbatim.
“Nuk ka sanksione. BE-ja vendos sanksione si masë kufizuese të bazuar në kornizë të qartë ligjore të definuar nga shtetet anëtare, pas një procesi të gjatë të diskutimeve në Këshill. Nuk ka sanksione ndaj Kosovës, kjo është njëra gjë. Ka një sërë masash, apo propozime për një sërë masash. Disa prej tyre tashmë kanë hyrë në fuqi menjëherë. Disa prej tyre janë ende duke u diskutuar dhe vendet anëtare do t’i zbatojnë gradualisht, nëse nuk do të ketë ndryshim të qasjes së autoriteteve të Kosovës. Spektri është relativisht i gjerë”, ka thënë ai.
Masat përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare, pezullim domethënës të financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.
E po ashtu si masë tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Pikërisht këtë marrëveshje po e përmendin edhe opozita.
Rrezarta Krasniqi nga LDK po thotë se faji për krejt këtë situatë është i Kryeministrit, Albin Kurti.
“Ne me këtë kryeministër jemi duke shku vetëm prapa, është po ky kryeministër që e ka vonu edhe procesin e liberalizimit të vizave, është po ky kryeministër që nuk e ka votu marrëveshjen për stabilizim-asociimit e ne vazhdojmë të marrim sanksione pse kryeministër është Albin Kurti duke na dhënë sanksione partnerët tanë ndërkohmëtar që falë tyre ne jemi sot shtet”, ka thënë ajo.
E anëtarja e AAK-së, Time Kadriaj po thotë se për sanksione ishin njoftuar edhe nga ambasadorët në takime.
“Ne si komision për integrime kemi pas edhe ambasadorin e BE-së në Komision ku na ka tregu plot gjana shqetësuese por edhe ambassador të tjerë të cilët janë kritik të kësaj qeveria dhe qasjës së kësaj qeverie ndaj veriut dhe po e vërejmë që kjo qeveri po e qon vendin në izolim”, ka thënë Kadrijaj.
Prej masave të para kundër Kosovës, që gjithashtu u refuzua të quhej sanksion, ka qenë largimi i FSK-së nga ushtrimi Defender 2023, i udhëhequr nga ushtria amerikane.















