BE pezullon fondet për Serbinë për shkak të reformave ligjore

Bashkimi Evropian (BE) ka ka ngrirë fondet e destinuara për Serbinë nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke sinjalizuar një përkeqësim serioz të marrëdhënieve me Beogradin për shkak të ndërhyrjeve në sistemin e drejtësisë.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos deklaroi se vendimi vjen si pasojë e hapave prapa që Serbia ka bërë në pavarësinë e gjyqësorit, duke e cilësuar situatën si shqetësuese.

“Për momentin, ne kemi ndaluar të gjitha pagesat nga Plani i Rritjes sepse po kthehej prapa në gjyqësor,” tha Kos, duke paralajmëruar se fondet nuk do të zhbllokohen derisa të ketë ndryshime konkrete.

Vendimi prek një pjesë të rëndësishme të paketës prej 6 miliardë eurosh që BE-ja ka paraparë për rajonin për periudhën 2024–2027, ku Serbia ishte përfituese e mbi 1.5 miliardë eurove. Megjithatë, Brukseli po e bën të qartë se financimi nuk është i pakushtëzuar dhe lidhet drejtpërdrejt me respektimin e standardeve demokratike.

Reformat e fundit të miratuara nga parlamenti serb, pa konsultim me gjyqtarë, prokurorë apo institucionet evropiane, kanë nxitur reagime të forta. Kritikët vlerësojnë se ndryshimet rrisin kontrollin politik mbi gjyqësorin dhe dobësojnë mekanizmat mbrojtës për pavarësinë e prokurorëve.

Këto zhvillime ndodhin në një moment të ndjeshëm, kur në Serbi janë duke u zhvilluar hetime të profilit të lartë për korrupsion që përfshijnë figura të rëndësishme të pushtetit, duke ngritur dyshime për motivet reale të reformave.

Kos nuk kurseu kritika as për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së medias në vend, duke theksuar se Serbia po përballet me polarizim të thellë politik pas një vale të gjatë protestash kundër korrupsionit.

“Serbia është shumë e polarizuar sot… për fat të keq, po shohim një rënie,” tha ajo raporton Euroactiv përcjell Dukagjini.

Në të njëjtën kohë, Brukseli ka vënë në pikëpyetje edhe kursin e politikës së jashtme të Serbisë, e cila vazhdon të mbajë lidhje të afërta me Rusinë dhe refuzon të vendosë sanksione ndaj saj.

“Nuk mund të ulesh në dy karrige,” paralajmëroi Kos, duke sinjalizuar se qasja e dyfishtë e Beogradit nuk është më e pranueshme për BE-në.

Pavarësisht se Serbia kishte marrë një këst fillestar prej 56.5 milionë eurosh në janar, zhvillimet e fundit tregojnë se procesi i integrimit evropian po hyn në një fazë më të vështirë, ku kompromiset politike nuk do të tolerohen pa reforma reale.

Të fundit nga rubrika