Këshilli Evropian ka dalë më tri konkluzione për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, pas samitit të liderëve të BE-së.

Në konkluzionin e parë theksohet nevoja urgjente e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Në dritën e tensioneve të fundit në veri të Kosovës, Këshilli Evropian nënvizon nevojën urgjente për përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës* dhe Serbisë, përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të udhëhequr nga Përfaqësuesja e Lartë”, thuhet në njoftim.

Në konkluzionin e dytë thuhet se plani evropian është shans historik dhe se duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët.

“Këshilli Evropian mirëpret propozimin e fundit evropian për të vendosur marrëdhëniet midis të dyja palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme, si një shans historik që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët, duke përfshirë edhe realizimin e perspektivës së tyre evropiane”, thuhet në njoftim.

Kurse në konkluzionin e tretë kërkohet nga Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë pa kushte marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

Me theks të veçantë është përmendur marrëveshje për Asociacionin e viteve 2013 dhe 2015.

“Këshilli Evropian u kërkon të dyja palëve që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte obligimet, për të cilat, janë zotuar në kuadër të dialogut, duke përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftim.

Themelimi i Asociacionit është duke u kërkuar vazhdimisht edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.