BE: Procesi zgjedhor në Kosovë të jetë i drejtë dhe pa ndërhyrje politike
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për një proces zgjedhor transparent dhe të besueshëm në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e rolit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të siguruar zbatimin e mekanizmave ligjorë gjatë procesit zgjedhor. Në një reagim zyrtar, BE-ja paralajmëron se moscertifikimi i një partie politike për arsye politike, dhe jo mbi baza […]
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për një proces zgjedhor transparent dhe të besueshëm në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e rolit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të siguruar zbatimin e mekanizmave ligjorë gjatë procesit zgjedhor.
Në një reagim zyrtar, BE-ja paralajmëron se moscertifikimi i një partie politike për arsye politike, dhe jo mbi baza ligjore, do të përbënte një pengesë të rëndë për demokracinë në vend.
BE-ja kujton se në përfundimet e Këshillit të saj më 17 dhjetor janë vlerësuar përparimet në kornizën zgjedhore të Kosovës, duke u bazuar në rekomandimet e mëparshme të BE-së.
“BE-ja dhe shtetet anëtare të saj kanë nënvizuar në konkluzionet e Këshillit të 17 dhjetorit zhvillimet pozitive në Kosovë sa i përket kornizës zgjedhore, bazuar në rekomandimet e BE-së, para zgjedhjeve të 9 shkurtit. Përderisa Kosova dhe qytetarët e saj gëzojnë një demokraci të gjallë, mos certifikimi i një partie politike për shkak të konsideratave politike dhe jo procedurave ligjore do të ishte një kthim serioz prapa”, thuhet në reagimin e BE-së.
Megjithatë, ajo thekson se procesi i certifikimit të partive dhe kandidatëve duhet të respektojë standardet ligjore dhe të mos ndikohet nga politika.
“Të gjithë kandidatët e certifikuar duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje me ligjin e Kosovës,” thuhet në deklaratë.
BE-ja gjithashtu i bën thirrje të gjitha palëve që të mos politizojnë procesin zgjedhor apo të përdorin KQZ-në si mjet në fushatat elektorale.















