BE: Puna për themelimin e Asociacionit duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht

BE-ja u ka bërë thirrje palëve që puna për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të nisë pa vonesë

Flamuj të Bashkimit Evropian

Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi, më 14 shtator, në Bruksel, BE-ja ka shprehur shqetësimin e saj për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj.

BE-ja u ka bërë thirrje palëve që puna për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të nisë pa vonesë.

“BE-ja u kërkon palëve të angazhohen me konstruktivitet dhe mirëbesim. Kjo nënkupton nisjen e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejme, që gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejmë”, thuhet në letrën e BE-së me kërkesat për Kosovën dhe Serbinë.

Përmes një komunikate për media, BE-ja ka përkujtuar se marrëveshja është obligative dhe luan rol në rrugën evropiane të të dyja vendeve.

“BE-ja ua kujton palëve përgjegjësinë për të respektuar parimin e konfidencialitetit në dialog, komponentin kyç të çdo procesi negociator të ndjeshëm politik”, thuhet tutje në letër.

BE-ja ka thënë se është e shqetësuar për mungesën e përparimit nga palët në shtensionimin e situatës në veri, “pavarësisht thirrjeve të përsëritura të BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri tash mbesin të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar”.

“Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, urdhrat e dëbimit, telekomunikacionin dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve. Sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupet kriminale dhe frikësimi i kadetëve të policisë serbe të Kosovës të saporekrutuar / popullatës lokale janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Bllokimi i udhërrëfyesit nga ana e Serbisë, si dhe përpjekjet e tjera që nuk janë në përputhje me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e procesit të Dialogut”.

Në njoftimin e BE-së thuhet se kërkesat e bëra në Deklaratën në emër të BE-së të datës 3 qershor mbeten plotësisht të vlefshme.

“Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme”, thuhet tutje në letër.

Në letër ritheksohet rëndësia e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve.

“Është e nevojshme zgjidhja më e shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve. Ne inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe të deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar. BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës, të shmangin hapat e mëtejshëm përshkallëzues dhe të mbështesin përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”.

Po ashtu, BE-ja u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon nëpër Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre.

“Të dy rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane”.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika