BE reagon ndaj dekreteve të Dodikut për ligjet jokushtetuese në RS
Presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik, ka nënshkruar më 5 mars dekretet për shpalljen e ligjeve jokushtetuese, të miratuara në Kuvendin e këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës më 27 shkurt. Ligjet e miratuara ndalojnë veprimtarinë e institucioneve shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës, përfshirë Gjykatën dhe Prokurorinë e Bosnjë e Hercegovinës, Agjencinë Shtetërore për Hetime […]
Presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik, ka nënshkruar më 5 mars dekretet për shpalljen e ligjeve jokushtetuese, të miratuara në Kuvendin e këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës më 27 shkurt. Ligjet e miratuara ndalojnë veprimtarinë e institucioneve shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës, përfshirë Gjykatën dhe Prokurorinë e Bosnjë e Hercegovinës, Agjencinë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës (VSTS). Një tjetër ligj i miratuar është ai për Regjistrin e Posaçëm dhe transparencën e punës së organizatave jofitimprurëse.
Për këtë ka reaguar Bashkimi Evropian (BE), duke theksuar se ligjet e miratuara minojnë rendin kushtetues dhe ligjor të Bosnjë e Hercegovinës dhe cenojnë funksionalitetin e institucioneve shtetërore.
BE ka kërkuar nga Republika Srpska që të respektojë Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës dhe të ndalojë veprimet që kërcënojnë unitetin dhe integritetin e vendit.
“Aktet ligjore të miratuara më 27 shkurt 2025 nga Asambleja Kombëtare e Republika Srpska dhe të nënshkruara nga Presidenti i Republikës Srpska më 5 mars 2025 minojnë rendin kushtetues dhe ligjor të Bosnjë-Hercegovinës dhe funksionalitetin e institucioneve të vendit dhe kërcënojnë liritë themelore të qytetarëve të saj. Këto veprime bien ndesh me angazhimet që Bosnja dhe Hercegovina ka marrë në rrugën e saj drejt BE-së.
Republika Srpska, si entitetet e tjera, duhet të respektojë Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës dhe ligjet e vendit, dhe të respektojë kompetencat dhe vendimet e institucioneve të vendit, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, Gjykatën, Zyrën e Prokurorisë si dhe Agjencinë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes. Të gjitha mjetet juridike vendase duhet të përdoren për të mbështetur rendin kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës”, thuhet në reagim.
“BE-ja i kërkon udhëheqjes politike të entitetit të Republikës Srpska që të përmbahet dhe të heqë dorë nga retorika dhe veprimet provokuese, përçarëse, duke përfshirë vënien në pikëpyetje të sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të Bosnje-Hercegovinës. Presioni politik ndaj zyrtarëve publikë për t’u larguar nga institucionet e nivelit shtetëror duhet të përfundojë.
BE-ja thekson se duhet të respektohet sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues i Bosnjë-Hercegovinës.
Pas vendimit të Këshillit Evropian në mars 2024 për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Bosnje-Hercegovinën, BE-ja u kërkon të gjithë aktorëve politikë të ripërtërijnë fokusin e vendit në përparimin në rrugën e BE-së, me veprime të vendosura për të ndërmarrë të gjithë hapat përkatës, në mënyrë që Këshilli i BE-së të mund të miratojë më pas kornizën negociuese. Progresi në rrugën drejt BE-së është garancia më e mirë e stabilitetit dhe sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe ka përfitime të shumta për qytetarët e vendit”, thuhet më tej në reagim.















