BE shpreh keqardhje që Serbia nuk i ka ndjekur ende përgjegjësit e sulmit në Banjskë

Bashkimi Evropian i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se shpreh keqardhje që Serbia nuk i ka marrë ende hapat e nevojshëm për t’i përballur me drejtësinë përgjegjësit për sulmin në fshatin Banjskë të Kosovës në vitin 2023.

Një zëdhënës i BE-së i ka bërë këto deklarata, teksa e ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 24 prill i ka dënuar tre të akuzuarit për sulmin: Bllagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Tolliqin me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviqin me 30 vjet burgim.

Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, si pasojë e të cilit u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në këmbim e sipër të të shtënave u vranë edhe tre sulmues serbë.

Millan Radoiçiq, atëbotë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – mori përgjegjësinë për sulmin.

Tre të dënuarit kanë qenë pjesë e grupit prej 45 personash ndaj të cilëve kanë ngritur aktakuzë autoritetet e Kosovës, përfshirë Radoiçiqin. Përveç tre të dënuarve, pjesa tjetër e të akuzuarve janë në arrati.

Për autoritetet e Kosovës, Radoiçiq ka qenë “udhëheqësi i grupit terrorist” dhe sulmi është organizuar nga shteti i Serbisë. Beogradi, në anën tjetër, i hedh poshtë këto akuza.

Autoritetet në Kosovë i kanë ndarë procedurat penale kundër Spasojeviqit, Tolliqit dhe Maksimoviqit, të cilët ndodheshin në paraburgim që nga shtatori 2023, ndërsa e kanë hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Speciale për një gjykim në mungesë për 42 të pandehurit e tjerë.

Institucionet e Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje rregullisht autoriteteve të Beogradit që të përcaktojnë përgjegjësinë për sulmin dhe t’i nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.

Megjithatë, pavarësisht thirrjeve nga blloku evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, autoritetet në Serbi nuk kanë ngritur asnjë aktakuzë, madje as ndaj Radoiçiqit i cili besohet se është në Beograd.

Gjykata e Lartë në Beograd ka bërë të ditur se ekziston vendimi që ia ndalon Radoiçiqit largimin nga banesa e tij dhe ka detyrim që të paraqitet në polici, ndërsa Zyra e Prokurorit nuk e ka komentuar ndonjë aktakuzë eventuale./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Shtëpia botuese “Dukagjini” sjell në gjuhën shqipe 16 libra të...

Secila një histori ndryshe nga tjetra. Të gjashtëmbëdhjetë libra nga krijimtaria e nobelistit gjermano-zviceran, Hermann Hesse, në gjuhën shqipe i gjeni në Librarinë “Dukagjini”. Promovimi i...

Kosova shteti i parë në Ballkan me angazhime të pranuara...

Republika e Kosovës është bërë shteti i parë nga Ballkani dhe i shtati në botë që i janë pranuar angazhimet në Kartën Globale për...

Të fundit nga rubrika