BE: Të martën në Bruksel, do të diskutohet për dinarin

"Lajçak ka ftuar kryenegociatorët që në Bruksel të vazhdojnë diskutimet, fillimisht për të vazhduar bisedimet që nisën disa javë më parë për dinarin dhe do të ketë edhe tema të tjera që janë më të ngutshme në kuadër të dialogut", ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

Ilustrim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka njoftuar se përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, më 19 mars në Bruksel, që t’i vazhdojnë diskutimet për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për dinarin.

Përveç kësaj, në takim do të diskutohen edhe për tema të tjera që janë më urgjente në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, si për planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Për të martën, përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorët që në Bruksel të vazhdojnë diskutimet, fillimisht për të vazhduar bisedimet që nisën disa javë më parë për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin, dhe do të ketë edhe tema të tjera për t’u diskutuar me kryenegociatorët, që janë më të ngutshme në kuadër të dialogut”, ka thënë Stano.

Ndonëse, sipas tij, takimi i kaluar për dinarin zgjidhi disa çështje, siç thotë ai, ka edhe tema të tjera që ka prekur e që duhet diskutuar tutje.

“Ky do të jetë takim në nivel të kryenegociatorëve. Siç e kemi thënë pas takimit të parë që u thirr për çështjen e rregullores së BQK-së, diskutime të mëtejme janë të nevojshme. Ishte një takim i mirë, në të cilin palët dërguan këdo që ata e konsideruan si më të përshtatshmin për të diskutuar për pasojat e menjëhershme të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës. Pra, takimi zgjidhi disa çështje, preku disa të tjera dhe la disa që duhet diskutuar, pra kjo është radhitja. Kjo është vazhdimësi, vetëm se këtë herë në nivel të kryenegociatorëve nga dy palët”.

Stano tutje ka thënë se implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është një prej çështjeve më urgjente dhe se aspekte individuale të kësaj teme do të preken nga palët dhe ndërmjetësi në këtë takim.

“Nuk do të komentoj deklaratat e Qeverisë së Kosovës për këtë dhe pjesëmarrjen në rundin e kaluar. Ishim shumë të qartë se kemi ftuar të dy palët dhe ua lamë atyre që të dërgojnë këdo për t’u marrë me këtë çështje që erdhi si rezultat i mungesës së koordinimit dhe njëanshmërisë, që krijoi probleme në dialog. Por e mira është që filluam të merremi me këtë në kuadër të dialogut, kështu që kjo do të jetë një prej çështjeve në agjendë të martën e ardhshme. Dhe sigurisht, implementimi i plotë i të ashtuquajturës Marrëveshja e Ohrit, është një prej çështjeve më urgjente dhe sigurisht aspekte individuale të kësaj teme do të preken nga palët dhe ndërmjetësi”, ka vijuar ai.

Këtë takim e konfirmoi edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, emisari amerikan tha se pret që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile në këtë takim.

Për çështjen e dinarit, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar në Bruksel në fund të shkurtit. Por, në atë takim, ku Kosova u përfaqësua nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, nuk pati ndonjë rezultat.

Më 1 shkurt ka hyrë në fuqi një rregullore e BQK-së, që parasheh euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

ShBA-ja dhe BE-ja kanë kritikuar këtë vendim, duke thënë se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë parasysh ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë.

Washingtoni i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërkaq BE-ja po kërkon që kjo çështje të zgjidhet në kuadër të dialogut që ajo ndërmjetëson.

Kosova ka thënë se çështja e dinarit është teknike dhe nuk duhet të përfshihet në dialogun politik për normalizimin e raporteve. Ndërkaq, Serbia kërkon një zgjidhje politike për këtë çështje.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika