Begaj: Pa udhëheqjen amerikane, nuk do të kishim një Kosovë të pavarur
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, po merr pjesë në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po mbahet në Dayton të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përkujtim të 30-vjetorit të Marrëveshjes së Paqes që i dha fund luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në forumin me temë “Renewing focus on peace and […]
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, po merr pjesë në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po mbahet në Dayton të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përkujtim të 30-vjetorit të Marrëveshjes së Paqes që i dha fund luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Në forumin me temë “Renewing focus on peace and prosperity in the Balkans”, presidenti Begaj rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Marrëveshjes së Dayton-it dhe procesit të integrimit Euroatlantik të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Begaj e ka cilësuar këtë marrëveshje si një gur themeli të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Ai ka theksuar rëndësinë e ndërhyrjes në kohë të ShBA-së në Kosovë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajtën një rol historik në sigurimin e paqes tre dekada më parë. Pa udhëheqjen amerikane, Marrëveshja e Dayton-it nuk do të kishte qenë e mundur. Pa udhëheqjen amerikane, nuk do të kishim një Kosovë të pavarur. Për më tepër, rajoni ynë nuk do të kishte arritur stabilitetin e tij aktual pa angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-së”, ka thënë Begaj nga Amerika raporton A2CNN.
Presidenti shqiptar vlerësoi gjithashtu partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, duke e quajtur miqësinë shqiptaro-amerikane një lidhje të thellë që duhet ruajtur dhe forcuar.
“Shqipëria riafirmon angazhimin e saj të fortë ndaj vlerave thelbësore të demokracisë, duke promovuar paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Ne shqiptarët e nderojmë dhe e vlerësojmë thellësisht miqësinë tonë me Shtetet e Bashkuara dhe jemi të përkushtuar ta forcojmë atë për brezat që do të vijnë”, ka shtuar Begaj.
Përballë sfidave të reja më të cilat përballet Ballkani pas luftës në Ukrainë, presidenti Begaj bëri thirrje për bashkëpunim mes aleatëve për transformimin e tyre në mundësi, shpresë dhe unitet.
“Le të riafirmojmë angazhimin tonë ndaj Ballkanit Perëndimor, një rajon që nuk mbetet në hijen e së kaluarës së tij, por qëndron në dritën e të ardhmes së vet. 30 vjet më parë paqja u bë e mundur këtu. Tani është detyra jonë të sigurohemi që ajo të bëhet e përhershme”, deklaroi presidenti Begaj.















