Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë ceremonisë së organizuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar kontributin e atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Në fjalën e tij, Begaj ka theksuar se kjo ditë nderon jo vetëm individët, por edhe shpirtin e pathyeshëm të kombit shqiptar.

“Sot po nderojmë ata që në kohët më të vështira mbajtën të gjallë shpresën për lirinë e Kosovës. Nuk nderojmë vetëm individët, por edhe vetë shpirtin shqiptar, atë shpirt që nuk dorëzohet kurrë. Shqipëria dhe Kosova nuk janë thjesht dy shtete – ne jemi një komb, një gjak, një flamur, një histori e lidhur përjetësisht. Historia jonë është histori krenarie”, ka theksuar ai.

Begaj: Kosova e pavarur është realitet i fituar me gjak, nuk kthehet pas

Presidenti shqiptar ka deklaruar se as pushtimi, as padrejtësitë, as diktaturat dhe as gjenocidi nuk e kanë thyer ndërgjegjen kombëtare shqiptare.

“Shqipëria ka kontribuuar dhe do të kontribuojë për Kosovën, sepse kështu na thotë ndërgjegjja jonë kombëtare. Ndihma për Kosovën është ndihmë për veten tonë… Sot ne duhet të qëndrojmë krah për krah, bashkë në çdo fushë – në ekonomi, siguri, shkencë. Marrëdhëniet tona i lidhë gjaku, kanuni, historia dhe kombi. Kosova e pavarur është një realitet që nuk kthehet pas, e fituar me gjak dhe sakrificë”, ka deklaruar Begaj.