Pas publikimit të raportit të Reporterëve pa Kufij, ku Kosova është renditur në vendin e 99-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami.

Ai ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për përpjekje të vazhdueshme për të kufizuar punën e mediave në vend.

Liria e mediave, në rënie të lirë: Kosova renditet e 99-ta në raportin e Reporterëve pa Kufij

“Kurti dëshiron një Kosovë pa media! Presidenti i 3-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Thomas Jefferson, e ka një citat shumë të bukur, që pak a shumë thotë se do të zgjidhte mediat pa Qeveri përpara një Qeverie pa media.

Ndërsa, ky pengmarrësi ynë, Albin Kurti, që ka marrë rob shtetin e Kosovës, deri më 9 shkurt është munduar që të ketë një Qeveri pa media, duke bojkotuar, kërcënuar, linçuar, përdhosur punën e mediave në Kosovë.

Albini mund ta lë Kosovën për një kohë pa Parlament, pa Qeveri, por Kosova kurrë nuk do të mbetet pa media dhe pa gazetarë!

Ata, nesër, që në mëngjes i ka para zyrës së uzurpuar të Qeverisë dhe para zyrave të okupuar të Parlamentit deri në triumfin e së vërtetës mbi gënjeshtrën!”, ka shkruar Behrami në Facebook.

Kujtojmë se këtë vit Kosova ka pësuar një rënie të konsiderueshme në indeksin e lirisë së shtypit, duke u zhvendosur nga vendi i 75-të në të 99-tin – pozicionimi më i ulët në dekadën e fundit.