Deputeti Hajdar Beqa nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka thënë se si PDK, kjo e fundit nuk mbështet Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në aventurat e tyre.

I ftuar në FIVE të RTV Dukagjini, Beqa ka deklaruar se ajo çka kishte parë nga ministri Murati dhe zëvendëskryeministri Bislimi, ishte një sjellje e pamatur.

“Nuk e mbështesim Kryeministrin Kurtin, nivelin e ministrit Murati apo zëvendëskryeministrit Bislimi në aventurat që po na shtin qeveria dhe pasojat janë më të mëdha sesa një qëndrim apo një tension në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pasojat janë më të mëdha”, ka deklaruar ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se në seancën e 10 nëntorit, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri e ka kërcënuar dhe ofenduar kur mikrofoni ishte i ndalur.

“Deputeti Abelard Tahiri nga kjo foltore nxori një sërë akuzash për ministren Albulena Haxhiu. Ndërsa, pasi u ndal mikrofoni në stilin e një banditi që vendos shurdhues në armën e tij, u kthye nga unë dhe shprehi një serë kërcënimesh të cilat më pas i shoqëroi me të shara e fyerje”, deklaroi ai, duke i bërë thirrje Prokurorisë që të merret me këtë rast.

Ndërkaq, shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri këto akuza i quajti “të pabaza” e të “pavërteta”.

“Deputetë a jeni duke e pa? Këta e kanë një siklet të madh. Këta janë në një siklet që as vendi vend nuk po i zë. Ky flet akuza të pabaza, del në foltore dhe flet të pavërteta. Ky është në gjendje të rëndë edhe psikike. Ky është në gjendje të rëndë, andaj ne i kërkojmë kësaj qeverie fokus, punë dhe angazhim në kryerjen e detyrave të veta”, ka deklaruar Tahiri.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka bërë të ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme lidhur me pretendimet e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi se është kërcënuar dhe ofenduar nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri.