Beqiri: Në Hagë u dënua drejtoria politike e UÇK-së, jo individët

Avokati i Jakup Krasniqit, Mentor Beqiri, e ka cilësuar si “skandaloz” aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në Debat Plus, Beqiri ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, trupi gjykues ka vlerësuar provat dhe dëshmitë gjatë procesit.

“Ditën kur është dhënë verdikti neve na është dorëzuar aktgjykimi. Aktgjykimi, sipas meje, është skandaloz. Gjetjet janë skandaloze, arsyetimi është i njëjtë”, ka deklaruar Beqiri.

Ai është ndalur te terminologjia “cherry-picking”, të cilën e përdori për të përshkruar atë që ai e konsideron si përzgjedhje selektive të provave.

Sipas Beqirit, në rastin e ish-krerëve të UÇK-së ka pasur përzgjedhje selektive të provave, dëshmitarëve dhe pjesëve të dëshmive të tyre.

“Kjo i bjen me selektu atë cfare po don me ndëgju. Kjo metodë e përzgjedhjes është e ndaluar edhe për prokurorinë, jo vetëm për trupin gjykues. Prokuroria ka të ndaluar me që kur t’ngrit aktakuzën me selektu provat se cilat i konvenojnë më shumë e cilat i konvenojnë më pak. Prokuroria është obliguar që të përfshijë gjitha provat, qoftë dhe ato shfajësuese. Në rastin tonë ne kemi një gjykim i cili ka përzgjedhje selektive të provave, ka përzgjedhje selektive të dëshmitarëve dhe ka përzgjedhje selektive të pjesëve të dëshmive nga dëshmitarë të caktuar. Kur një dëshmitar njëherë i besohet, njëherë nuk i besohet. Më vonë i besohet një pjesë e dëshmisë, më vonë thuhet se nuk është dëshmitari i besueshëm”, ka deklaruar ai.

Beqiri ka kritikuar edhe aplikimin e përgjegjësisë përmes konceptit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, duke u ndalur veçanërisht te ajo që ai e përshkroi si “shkalla e tretë” e kësaj forme të përgjegjësisë.

Ai ka thënë se, sipas kësaj qasjeje, një person mund të mbahet përgjegjës për një krim të kryer nga dikush tjetër, nëse ka pasur dijeni se ai mund ta kryejë atë.

“Ndërmarrja e përbashkët kriminale i ka tre shkallë: shkalla 1, 2 dhe 3. Shkalla e tretë thotë se për t’u shpallur dikush përgjegjës bazuar në këtë shkallë dhe në këtë formë të përgjegjësisë, mjafton të ketë dijeni se dikush mund të kryejë një krim. Që me marrë një shembull sa ma praktikisht të mundshme, me marrë një shembull Papa nga Vatikani, dhe autoritetet e tij janë gjithe priftërinjtë në mbarë botën. Me këtë formë të përgjegjësisë, me këtë doktrinë juridike, ti mund të shpallësh papën fajtor për një krim që njeri nga priftërinjtë në një vend në qosh të botës e kryen. Kjo është aplikuar në rastin e krerëve të UÇK-së”.

Sipas tij, përgjegjësia është bartur te ish-krerët e UÇK-së për shkak të funksioneve që kanë mbajtur.

“Nuk është dënuar individi. Është dënuar posti që ai ka mbajtur. Nuk është dënuar Jakup Kraniqi e Hashim Thaçi. Është dënuar drejtoria politike e Ushtrisë së Kosovës. Është dënuar UÇK-ja rrjedhimisht. Është dënuar personi që ka shpall pavarësinë dhe personi i cili ka qenë kryetari i Kuvendit që ka shpall pavarësinë. Prandaj populli duhet të reflektojë shumë në këtë gjë. Nuk janë rastsishme ato dënime dhe ato selektime. Ky trup gjykues ka shkuar pas drejtorisë politike të Ushtrisë së Kosovës. Kushdo që ke qenë në vendin e akuzuesit të vendit dhe anëtari i drejtorisë politike, do e kishte pirur i njëjti fat”, ka deklaruar ai.

Beqiri tha gjithashtu se, sipas tij, në aktgjykim nuk është konstatuar se Jakup Krasniqi ka qenë i pranishëm në ndonjë rast kur një person është keqtrajtuar, arrestuar apo vrarë.

“Nuk ka pasur asnjë rast që Jakup Krasniqi ka qenë prezent kur një person është keqtrajtuar, arrestuar apo edhe vrarë. Trupi gjykues e konstatoi një gjë të tillë. Mirëpo, posti politik si zëdhënës atij po i bartka përgjegjësinë, sipas trupit gjykues”, deklaroi Beqiri.

Të fundit nga rubrika