Në protestën e organizuar të shtunën nga opozita nuk kanë munguar pankartat e shumta ku shigjetohet kryeministri Edi Rama.

Por një grup të rinjsh kanë zgjedhur të protestojnë me një mënyrë tepër të veçantë, duke marrë me vete në sheshin para kryeministrisë një gomone me flamurin e Mbretërisë së Bashkuar, si simbol i krizës së emigrantëve shqiptarë që kalojnë La Manshin për të mbërritur në Britaninë e Madhe.

Në rrugëtimin e tij nga selia e Partisë së Lirisë, në drejtim të sheshin përpara kryeministrisë, Ilir Meta iu kërkoi qytetarëve të bashkohen për të rrëzuar regjimin e Edi Rama. Meta u shpreh se atmosfera është demokratike dhe kërkoi që askush të mos provokojë protestuesit.

Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi ka thënë se “Ajo që na ka mbledhur nuk është politika, është Shqipëria. Na ka mbledhur besimi se Shqipëria ka burra dhe gra që i dalin zot familjes, Atdheut, duke luftuar dhe duke u ndeshur. E di mirë forcën e pasionit tuaj dhe vullnetin e zemërimit tuaj. Jemi bashkë për të ndezur gulçin e revoltës për të shkuar në rrëzimin e kësaj qeverie. E gjithë Shqipëria i ka sytë këtu. Së bashku të vazhdojmë betejën dhe të mundim të keqen. Të rrëzojmë regjimin që ka shkatërruar jetën e qytetarëve. Të rrëzojmë blindat dhe të fusim prapa hekurave atë që fshihet pas tyre”, shkruan A2news.

Secili nga selitë e tyre, Sali Berisha dhe Ilir Meta iu drejtuan protestuesve për t’u bashkuar në bulevardin dëshmorët e Kombit.

I pari që la selinë blu ishte ish kryeministri Berisha, i cili ndryshe nga herët e tjera, fjalimet politike nuk o bëri për mediat, po la t’i drejtohet protestuesve nga podium i vendosur para kryeministrisë.

Sakaq aleati i tij në opozitë, e konsideroi këtë një ditë të jashtëzakonshme, ndërsa foli për një protestë paqësore.

“Të rritet mirëqenia, 100 mijë persona janë dërguar në Francë. T”u respektohet vota shqiptarëve. Nuk duan shqiptarët dhunë, por të drejta, demokraci dhe liri. Vij nga Tropoja, të votojë populli i lirë, nuk jemi për të djegur institucionet”, u shprehën disa nga protestuesit për Euronews Albania.

Protestuesit mbajnë në duar flamurin amerikan, ndërsa protesta është planifikuar të përcjellë disa mesazhe kundër qeverisë, korrupsionit dhe vështirësimit të jetës për shkak të krizës.

Ndërtesa e Kryeministrisë së Shqipërisë është blindua nga forcat policore, ndërsa shtyllat e ndriçimit afër zonës ku do të mbahet protesta janë lyer me ngjyrë

Për mbarëvajtjen e protestës, do të jenë në gatishmëri rreth 1000 efektivë policie, teksa disa akse rrugore do të jenë të mbyllura që prej orës 15:00.

Berisha dhe funksionarë të tjerë demokratë, nuk kanë përjashtuar asnjë lloj skenari për protestën e sotme.