Zgjedhjet për drejtimin e Partisë Demokratike në Shqipëri pritet të marrin më shumë formën e një referendumi, ku Sali Berisha mund të konfirmohet sërish si kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend.
Sipas vendimit zyrtar të PD-së, dy pretendentët e tjerë që synonin të merrnin pjesë në garë, Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj, nuk janë kualifikuar si kandidatë, pasi nuk përmbushnin kriteret e vendosura.
Raportohet se Sela dhe Mulaj nuk kanë përmbushur kriteret, përfundim i sjellë pas shqyrtimit të bërë nga KOKOE.
Sipas udhëzimit të PD, përveç integritetit të figurës kandidati duhet të ketë patur dhe një angazhim të paktën 10-vjeçar në PD. Po ashtu, kërkohet eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar ose rajonal në beteja politike dhe për çështje qytetare.
Teksa procesi i zgjedhjes së kryetarit finalizohet më 23 maj, në fund të muajit të ardhshëm demokratët do të mbledhin Kuvendin Kombëtar, për të diskutuar mbi aksionet e PD-së dhe ndryshimet në strukturat e saj.
Vullnetin e tyre për postin e krydemokratit e shprehu edhe Ervin Salianji (ish-deputet), Evi Kokalari (aktiviste), Mereme Sela (mjeke) dhe Alesia Balliu./tvklan