Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, e ka kritikuar presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në lidhje me reagimet e tyre pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Ai ka thënë se Kurti është duke e keqlexuar situatën, duke e paraqitur si fitore të tij.

Për ministren Gërvalla ai tha se po bën deklarata të pamatura. Kurse, për presidenten Osmani ai u shpreh se ka qëndrime jokoherente.

Po ashtu, Berisha e kritikoi edhe opozitën për mungesë të qëndrimeve.

“Për fat te keq, kryeministri Kurti me cinizmin qe është duke shfaqur këto dite me leximin e gabuar se kjo është një fitore e tij, e aq me keq, fitore kundër ndërkombëtareve, deklaratat e pamatura deri ne marrëzi te ministres se jashtme Gërvalla, qëndrimet jokoherente te presidentes Osmani dhe mungesa e qëndrimeve te opozitës krijojnë një panorame te nivelit te ulet te përgjegjësisë politikes kosovare, aq e nevojshme ne periudhën me kritike dhe me te rrezikshme qe nga shpallja e pavarësisë se Kosovës”, ka shkruar Berisha.

Këto qasje, sipas tij, do ta mbajnë “Kosovën te izoluar dhe jashtë procesit te integrimeve europiane”.