Veton Berisha, deputet nga Partia Liberale Egjiptiane, në një lidhje të drejtpërdrejtë në Five në RTV Dukagjini, ka folur për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, as edhe në seancën e 50-të të mbajtur sot.

Kosova tani është afër ultimatumit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, ndërsa ende nuk dihet me saktësi përgjegjësia e deputetëve pas afatit prej 30 ditësh.

Ai ka thënë se gjashtë herë ka votuar për Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por se me kërkesën për themelimin e një komisioni për votim të fshehtë ai ka deklaruar se nuk ka participuar në votim, meqë ka konsideruar se nuk lejohet në atë fazë.

“Normalisht kam votuar kundër. Pas Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të fundit, konsideroj se është thënë e qartë që procesi të kthehet në procesin që është lënë më datën 15 prill… Sa i përket asaj që unë kam thënë që duhet një unifikim sa më i hershëm, mendoj që është e ditur kjo punë sepse po kalojmë sot në seancën e 50-të dhe institucionet tona akoma nuk kanë marrë formën që duhet ta kenë. Kjo më bën personalisht mua si një përfaqësues i një komuniteti dhe deputet, më bën të ndihem jashtëzakonisht jo mirë”, ka thënë ai.

Ai është pyetur se a është kontaktuar nga Vetëvendosje apo Limaj. Ai ka thënë se vetëm në fillim, kur kanë biseduar, e më pas nuk është kontaktuar nga mandatari i VV-së, Albin Kurti, duke shtuar se edhe nga Limaj nuk pret që ta thërrasë për të diskutuar, sepse nuk është mandatar.

“Unë pres që mandatari me ba punën e tij dhe me u taku e me bisedu për një formë tonë të bashkëpunimit. Deri në këtë moment, prej atëherë nuk kemi pasur ndonjë ftesë, nuk kemi pas takime”, ka thënë ndër të tjera ai.

“Shpresoj që në momentin e duhur z.Kurti do ta gjejë kohën për t’u taku dhe për të bisedu nëse ne mund të kemi ndonjë bashkëpunim eventual”, ka thënë Berisha.