Berisha: Rrezikshmëria është obligim i shtetit, duhet t’i paguhet policisë
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë Kosovës, Bekë Berisha, ka thënë se në qeveritë e kaluara orët shtesë të policëve janë paguar, ndërsa kjo Qeveri i ka ndalë. Por, sipas tij, “Rrezikshmëria është obligim i shtetit, duhet me ua paguar Policisë”. “Kjo situatë e policisë do të ishte ndreqë nëse […]
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë Kosovës, Bekë Berisha, ka thënë se në qeveritë e kaluara orët shtesë të policëve janë paguar, ndërsa kjo Qeveri i ka ndalë.
Por, sipas tij, “Rrezikshmëria është obligim i shtetit, duhet me ua paguar Policisë”.
“Kjo situatë e policisë do të ishte ndreqë nëse do i kishim trajtuar më mirë. Orët shtesë janë paguar ma përpara, prej që është kjo Qeveri këto shtesa janë ndalë. Tash duhet me gjetë forma alternative”, ka thënë ai.
Më tutje, ai ka propozuar një fond të veçantë për Policinë e Kosovës.
“Pse nuk është pozita këtu, pse nuk përgjigjet kryeministri e ministri në pyetjet parlamentare. Se mendojnë që edhe rrejnë, edhe mashtrojnë, edhe e marrin votën apet. Këta dojnë veç pushtet, s’ju intereson bash kurrkush. Pozita e kanë kasavetin se nuk dojnë që i lon meritë kurrkujt, që mos t’ju jetë edhe opozitës që po bëjnë diçka”, ka përfunduar Berisha.
Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka thënë se edhe pse u tregua një unitet i partive pas sulmit në Banjskë, kjo tashmë nuk po ndodh.
“Kur ne flasim për nevojat elementare esenciale për policinë, na mungon mazhoranca të cilët verbalisht ishin në përkrahje të tyre, e sot nuk shprehen gatishmërinë që nga opozita të dëgjojnë se si të përmbushen nevojat e tyre”, ka thënë Quni.















