Berisha s’mund t’i regjistrojë kandidatët për zgjedhje në Shqipëri

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka vendosur se të drejtën për të kërkuar regjistrimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore të 14 majit e ka Enkelejd Alibeaj, të cilit Lulzim Basha ia ka deleguar drejtimin e kësaj partie.

Edhe pse Lulzim Basha publikisht ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i PD-së që nga marsi i vitit 2022, në gjykatë rezulton emri i tij si kryetar i kësaj partie.

Kështu, Sali Berisha nuk mund t’i regjistrojë kandidatët e tij nën siglën e Partisë Demokratike. Kjo situatë u krijua pasi të dy grupimet brenda partisë më të madhe opozitare në Shqipëri kërkojnë të njihet si Partia Demokratike zyrtare.

Përreth dy orë, në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve u dëgjuan pretendimet e përfaqësuesve ligjorë të dy palëve.

Komisioneri Ilirjan Celibashi, ka thënë se institucioni që ai drejton bazohet në Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për partitë politike për të kryer regjistrimin e partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje.

“E ka përcaktuar Ligji i partive politike dhe Kodi Zgjedhor, që përcakton se kush është organi që vendos për drejtimin e partive politike. Është gjykata dhe një dokument që vjen prej gjykatës që përcakton se kush është drejtuesi i një partie politike. Në nenin 9 të Ligjit për partitë politike thuhet se regjistrimi i partive bëhet në shkallën e parë të rrethit Tiranë, që mban edhe regjistrin e partive politike. Anëtarësia e një partie politike mund të njohin për drejtues të një partie këdo që ata çmojnë dhe vlerësojnë, por për ligjin dhe institucionet publike, përfshi edhe KQZ-në, ajo që merret në referencë është dokumenti zyrtar”, ka thënë Celibashi, raporton REL.

Ai ka theksuar se sipas dokumenteve në gjykatë, kryetar i PD-së rezulton ende Lulzim Basha.

Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve tha se nuk mund të merret asnjë vendim bazuar në mbi perceptime dhe fakte publike, por vetëm mbi dokumentet zyrtare.

Pavarësisht se të drejtën për të regjistruar PD-në e ka Enkelejd Alibeaj, dokumentacioni i paraqitur ishte i paplotë. Prandaj, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dha 48 orë kohë për plotësimin e detajeve në dokumente.

Kriza e përfaqësimit të PD është krijuar në vitin 2021 kur Basha përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së dhe nga vetë partia ish-kreun e partisë, njëherësh ish-kryeministrin Sali Berisha, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për ta shpallur Berishën person të padëshiruar (person non grata) për shkak të akuzave për korrupsion.

Vendimi nuk u pranua nga Berisha dhe mbështetës të tij, të cilët mblodhën struktura paralele duke i kërkuar anëtarësisë të votojë për forumet e reja të partisë si Kuvendi i Partisë Demokratike, Këshilli Kombëtar e të tjera, të cilat votuan Sali Berishën për kryetar partie, por edhe logon e re të PD-së.

Më 25 mars të 2022, Gjykata e shkallës së parë në Tiranë njohu si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Berisha dhe të gjitha vendimet që u morën prej tij. Ky vendim u ankimua nga Enkelejd Alibeaj, si ushtrues detyre i Partisë Demokratike. Javën e kaluar Gjykata e Apelit vendosi që çështja të rigjykohet në shkallën e parë të gjyqësorit.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika