Berisha: Të gjitha partitë politike të ulen dhe të gjejnë rrugë të dalin nga kjo situatë
Pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet edhe në përpjekjen e 20-të të premten, më 23.05.2025, Veton Berisha, deputet nga Partia Liberale Egjiptiane thotë se të gjitha partitë politike e kanë për obligim që të ulen dhe përfundimisht të gjejnë rrugë dhe të dalin nga kjo situatë. Sipas Berishës, vota e tyre prej ditës […]
Pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet edhe në përpjekjen e 20-të të premten, më 23.05.2025, Veton Berisha, deputet nga Partia Liberale Egjiptiane thotë se të gjitha partitë politike e kanë për obligim që të ulen dhe përfundimisht të gjejnë rrugë dhe të dalin nga kjo situatë.
Sipas Berishës, vota e tyre prej ditës së parë kur është mbajtur seanca konstituive në Kuvend të Kosovës ka qenë për Albulena Haxhiun, kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentare.
Berisha mendon se LVV duhet ta ndërrojë kandidatin për kryeparlamentar, siç i kanë kërkuar partitë politike që nuk po e votojnë Albulena Haxhiun.
“Po të isha në vendin e zotit Kurtit, sepse po luajmë momente politike që ndoshta këqyrim qysh na shkon ma në favor apo jo, normalisht iu kisha përshtatë kërkesës të dy pative të opozitës me ndërru kandidatin edhe pastaj ta shohim sa janë të sinqertë këto dy partitë” – tha Berisha në emisionin “KallxoPërnime”.
Berisha ka thënë se është deputet i rikthyer prej katër vitesh në Kuvendin e Kosovës dhe që komuniteti egjiptian ka vendosur që ta kenë prap pjesë të Kuvendit.
“Po besoj fuqishëm që nuk është një momentum që drejtuesit e partive po e bëjnë qëllimshëm këtë punë, e kam përshtypjen që e kaluara e tyre edhe komunikimi jo i mirë i tyre po i mbanë peng të daljes nga kjo situatë edhe kjo sipas mendimit tim për një moment duhet m’u tejkalu edhe me fillu me ba të pamundurën” – tha Berisha.
Sa i përket votimit të fshehtë të deputetëve në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Berisha ka thënë se është kundër këtij votimi, pasi mendon se “votimi për kryetar të Kuvendit duhet të jetë i hapur”.
Berisha tha se Albin Kurtit, liderit të LVV-së i takon të sigurojë shumicën në Kuvend.
Për takimin e presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politike më 15.05.2025, Berisha tha se Osmani ka parë vullnet nga këta liderë për situatën që është krijuar.
“Atë ditë presidentja ka pa një vullnet dhe ajo pret një kohë të mjaftueshme ku ne do të reflektojmë… Si duket në tryezë ka pasë vullnet, ashtu e ka thanë edhe publikisht edhe unë po besoj fuqishëm që ai vullnet duhet me reflektu… Unë nuk po e shoh atë vullnet edhe kjo na bën të shqetësuar për faktin që deri ku ka me shku kjo situatë” – ka thënë Berisha.
Berisha shtoi se nuk kanë vija të kuqe si parti dhe për kryeministrin që do të vie në Qeveri presin që t’iu plotësohen kërkesat e tyre.
“Në Qeveri do të diskutohen, nuk jap votë dikun ku nuk respektohen kërkesat dhe parimet tona, sepse unë e kam një program që është 11-pikësh, e rregullon jetën e komunitetit egjiptian që ne kërkojmë investime në fushën e edukimit, punësim, në mbështetje të politikave të cilat na mbrojnë nga diskriminimi dhe racizmi në vendet e punës, në investime kapitale ku kanë me jetu njerëzit tanë ma mirë” – tha Berisha.
Berisha ka kujtuar prezencën e paktë të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian në pozita të institucioneve shkollore, të sigurisë, shëndetësisë.
“Për këto katër vjet në pushtet, asnjë polic [të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian] nuk e ki në Fushë Kosovë. Një mësuese edhe ajo nuk ka një kontratë të qëndrueshme, edhe pak muaj do të largohet” – ka treguar Berisha.
Kreshnik Gashi, kryeredaktor në KALLXO.com i ka thënë Berishës se i inkurajon që sa ma shumë t’i kërkojnë të drejtat e tyre dhe të mos dekurajohen prej gjuhës që i stigmatizon si komunitet.
“E kemi trajtu problemin, ne kemi studiu me matje konkrete, ka diskriminim sistematik në krejt hapësirat publike në Kosovë, në secilin institucion të Kosovës ka diskriminim ndaj këtyre komuniteteve… Pra ka pozicione pak ma të ulëta, jo veç me vendos policë, me vendos edhe në recepsion, me vendos edhe atje ku jepin indkesa të studentëve. Me pa shoqërinë si të barabartë, pra punësimi është etnik” – tha Gashi.
Berisha si deputet i Kuvendit nuk e sheh zgjidhjen e kësaj krize politike në zgjedhje të reja, pasi nuk beson se ka parti politike që është e interesuar të shkojë në zgjedhje.
“Nuk ka arsye me shku në zgjedhje, sepse qytetari e ka thënë fjalën e vet. Nuk e di sa ka me ndryshu diçka prej kësaj përbërje zgjedhjet që do të mbahen në të ardhmen. Ka me pasë bojkot, se kjo gjendje me çka do të dalim para atyre njerëzve pa nisë akoma punën” – deklaroi Berisha.
Seanca konstituive e Kuvendit është hapur më 15.04.2025 dhe prej asaj date nuk ka arritur të mbyllet. Dështimi për të 20-tën herë ka ndodhur më 23.05.2025.
Procesi ka mbetur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ku Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk kanë votë për kandidaten e propoyuar për këtë poziët nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me opinion në lidhje me kërkesën e AAK-së për vlerësimin e kushtetushmërisë së propozimit për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për Zgjedhjen e Kryeparlamentarit të Kosovës./Kallxo.com















