Berisha thotë se Serbia kërkon çnjohjen e Kosovës nga Kroacia, kurse MPJD-ja është në hallin e ngarkim-shkarkimeve





Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, kishte deklaruar se ka një rritje të numrit të vendeve që do ta tërheqin njohjen nga Kosova. Ai shprehu pritjen se edhe Kroacia ta ndjekë këtë rrugë.

Lidhur me këtë deklaratë, ka reaguar ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, i cili ka thënë se kërkesa e Selakoviqit qartëson marrëveshjen e nënshkruar midis Serbisë dhe Rusisë për koordinimin e politikës së jashtme.

Megjithatë, ai ka thumbuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, duke thënë se ndonëse të gjithë janë të vetëdijshëm për ngjarjet që po ndodhin, MPJD-ja po hesht.

Sipas Berishës, hallet e këtij dikasteri janë ngarkim-shkarkimet e ndryshimet e rregulloreve të brendshme.

“Kërkesa e ministrit të Jashtëm serb, Nikola Selakoviq, që Kroacia të tërheqë njohjen e Kosovës si kundërpërgjigje ndaj kërkesës së kryediplomatit kroat Radman Grliq për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, qartëson edhe marrëveshjen e posanënshkruar serbo-ruse për koordinimin e politikës së jashtme duke përfshirë Kosovës”, ka thënë Berisha.

“Në këtë dinamik ngjarjesh, vetëm Ministria e Jashtme e Kosovës nuk është në ngjarje. Ajo është në hallin e ngarkim-shkarkimeve e ndryshim rregulloresh të brendshme”, shtoi ai.

Ndryshe, Selakoviq i është përgjigjur deklaratës së shefit të diplomacisë kroate, Gërliq, se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është e pashmangshme.

Selakoviq ka vlerësuar se me atë deklaratë Gërliq “ka dalë nga korniza e politikës zyrtare të BE-së, e cila është në pozicion neutral ndaj statusit në këtë çështje”.

Ndryshe, më 23 shtator, Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar këtë dokument, për të cilin zëdhënësi i BE-së, për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka thënë se kjo marrëveshje ka ardhur në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin e saj ndaj Ukrainës.

Ai ka potencuar se Rusia çdo ditë “po shkel të drejtën ndërkombëtare, forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara po organizon referendume ilegale”.

“Nëse në këto rrethana shohim se ministri i Jashtëm i Serbisë nënshkruan marrëveshje, me të cilën pajtohet për konsultime me shtetin që kryen akte të tilla, atëherë kjo është shenjë se Serbia po i forcon raportet me Rusinë. Dhe kjo ngreh shqetësime serioze. Raportet me Rusinë në këtë nuk mund të jenë sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Këto ne i marrim shumë seriozisht”, ka thënë Stano.

Sipas tij, Serbia ka deklaruar se qëllim strategjik ka integrimin në bllokun evropian.

“Ky vendim i Serbisë do të duhej të nënkuptonte edhe bashkëpunimin dhe përafrimin me BE-në në çështje të politikës së jashtme”.

“BE-ja ka qenë krejtësisht e qartë me të gjitha vendet anëtare dhe partnerët, përfshirë edhe vendin kandidat, Serbinë: raportet me Rusinë nuk mund të jenë punë e zakonshme nën hijen e pushtimit të paprovokuar dhe të paarsyeshëm në Ukrainë”, shtoi Stano.

Dokumenti është nënshkruar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Selakoviq ka deklaruar se Plani i Konsultimeve me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë “është nënshkruar që nga viti 1996, çdo dy vjet”, duke theksuar se bëhet fjalë për “çështje teknike siç janë marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet shumëpalëshe”.

Ky është dokumenti i parë diplomatik që Serbia dhe Rusia kanë nëshkruar që nga 24 shkurti, kur nisi agresioni rus në Ukrainë.





Shija e redaktorit

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Të fundit nga rubrika