Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha ka reaguar pas rizgjedhjes në krye të partisë një ditë më parë duke e cilësuar votën e demokratëve si një fitore ndaj asaj që ai e quan “narkomafia më e rrezikshme në Europë”.
Përmes një reagimi në Facebook, Berisha tha se procesi i zgjedhjes me parimin “një anëtar, një votë” dëshmoi forcën e demokracisë direkte dhe vullnetin e lirë të anëtarësisë, pavarësisht, sipas tij, sulmeve nga qeveria, mediat pranë pushtetit dhe grupet kriminale.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për kontroll politik dhe mungesë të proceseve demokratike brenda partisë, ndërsa theksoi se pjesëmarrja e rreth 40 mijë demokratëve në votim ishte një mesazh kundër manipulimit dhe presionit politik.