Kryetari i Partisë Demokratike dhe i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Sali Berisha, ka ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në qendrën e votimit në shkollën “Kosova” në Tiranë.

I shoqëruar nga bashkëshortja Liri Berisha, djali Shkëlzen me bashkëshorten dhe fëmijët e tyre, Berisha ndoqi procedurat e rregullta të votimit, duke verifikuar të dhënat dhe votuar në hapësirën e fshehtë.

Pasi hodhi votën në kuti, ai bëri gjestin e tij të zakonshëm me dy gishta të ngritur, simbol i qëndrimit të tij politik ndër vite.

Në një deklaratë për mediat jashtë qendrës së votimit, Berisha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të dalin masivisht në votime.

“Së pari, një thirrje zemre për çdo qytetar shqiptar, sot të votojnë, të votojnë të votojnë. Të votojnë për fëmijët e tyre, për pensionet dhe rrogat e tyre, për punën, punësimin, biznesin, fermën e tyre”, ka thënë Berisha.