Sot në orën 16:00 ishte paraparë të mbahej takimi mes Përparim Ramës dhe një prej grupeve më të mëdha të muzikës në botë, “Gipsy Kings”. Bendi do të performojë sonte në “AMC Hall” dhe paraprakisht kishte në agjendë një takim me kryetarin e Prishtinës.

Por, komuna ka njoftuar se takimi nuk do të mbahet, për shkak të situatës se krijuar nga menaxhimi i mbeturinave.

“Ju njoftojmë se pritja e paralajmëruar për sot, më 14 maj 2025, në ora 16:00, e bendit të njohur ndërkombëtar Gipsy Kings tek Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama, është anuluar. Anulimi vjen si pasojë e prioritizimit të zhvillimeve të fundit lidhur me problemin emergjent të menaxhimit të mbeturinave dhe ndërmarrjes “Pastrimi”, që ka kërkuar vëmendjen e menjëhershme të Kryetarit.
Faleminderit për mirëkuptimin.”, ka njoftuar faqja e Komunës së Prishtinës.