Besa Shahini kandidon për kryetare të Prishtinës në zgjedhjet e 2025-ës
Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, ka njoftuar se do të kandidojë për kryetare të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shahini përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke theksuar se pas katër vjetësh të jetesës në kryeqytet, ka vendosur […]
Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, ka njoftuar se do të kandidojë për kryetare të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shahini përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke theksuar se pas katër vjetësh të jetesës në kryeqytet, ka vendosur të hyjë në garë për të sjellë një “kahje të re zhvillimi”.
“Para katër vjetësh jam kthyer për të jetuar në Prishtinë nga Tirana, në një qytet që e dua fort, që ka një potencial të jashtëzakonshëm, por që ka marrë një kahje të gabuar në zhvillimin e vet”, ka theksuar ajo.
Në një video të publikuar bashkë me njoftimin, Shahini ka shprehur shqetësimin për mungesën e hapësirave të gjelbra në Prishtinë, duke e cilësuar qytetin si të mbuluar me beton.
Ajo ka bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve që ndajnë të njëjtat shqetësime për ta sjellë ndryshimin.
“Prishtinës i duhet një ndryshim radikal dhe një kahje tjetër zhvillimi. Unë dua të jem pjesë e këtij ndryshimi, andaj në vjeshtë do të garoj për kryetare të komunës në zgjedhjet lokale 2025”, ka deklaruar Shahini.















