Përderisa qyteti i Prishtinës nuk po mund të pastrohet kurrsesi nga mbeturinat që e kanë kapluar në çdo kënd, punëtorët e kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” janë mbledhur në grevë para ndërtesës së komunës. Ata kanë shprehur pakënaqësinë për situatën e krijuar dhe kanë kërkuar zgjidhje emergjente për situatën e rëndë financiare në të cilën është futur ndërmarrja, si pasojë e mosshlyerjes së obligimeve financiare nga komuna.
Problemi me bërllokun është shfaqur tash e gati dhjetë ditë, kryeqyteti kundërmon gjithandej dhe janë ngritur shqetësime edhe për rrezikimin e shëndetit të qytetarëve. Megjithatë, komuna nuk gjen zgjidhje, ndërkaq akuzat e ndërsjella nuk ndalen.
Problemet edhe të natyrës politike, që mund t’i kenë ndërmjet vetes komuna dhe kompania, qytetarëve nuk iu interesojnë. Ata kërkojnë një gjë të thjeshtë: shërbimin e mbledhjes së bërllokut. Atyre nuk iu interesojnë inatet dhe mosdurushmëria ndërmjet komunës dhe kompanisë. Nuk iu intereson as nëse ndonjë parti politike po organizon bojkot të mbledhjes së mbeturinave, as nëse komuna po do t’u jep kompanive të caktuara private tenderë për mbeturina, as nëse vërtet qëllimi i komunës është që ta falimentojë kompaninë publike.
Situata me bërllok tregon se kryetari i ardhur nga Londra me shumë pompozitet nuk po mbërrin ta zgjidhë as një problem bazik për jetën e qytetarëve, ndërkohë që për realizimin e premtimeve megalomane as që bëhet fjalë.
Komuna e Prishtinës është aksionari më i madh në kompaninë “Pastrimi”, andaj i takon të gjejë zgjidhje. Përplasjet me udhëheqjen e kompanisë nuk janë të reja, por askush nuk mund ta amnistojë komunën nga pjesa vet e përgjegjësisë. Përgjegjësi që nuk është e vogël.
Për vite të tëra pagesat për mbeturina janë bërë në komunë, ndërkaq kompania pretendon se komuna u ka borxh miliona. Në anën tjetër është e qartë se komuna po synon të angazhojë kompani private për ta kryer shërbimin. Pse e qysh, përgjigje e qartë nuk është dhënë. Pasojat i vuajnë qytetarët, ndërkohë që papërgjegjësia e komunarëve ka arritur nivele të larta.
* * *
Tash sa javë bërllok po e bëjnë partitë politike në sagën e konstituimit të Kuvendit. Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka përgjegjësinë kryesore për krijimin e institucioneve të reja, nuk po pranon që të arrijë kompromis për votimin e kryetarit të Kuvendit. Në anën tjetër, opozita e deritashme nuk dëshiron ta votojë kandidaten e propozuar nga Vetëvendosja. Si rezultat seancat shterpe të Kuvendit mbahen çdo dy ditë, ndërkaq zgjidhje nuk shihet në horizont.
Për dikë që nuk e ka idenë çfarë ndodh në Kosovë, me siguri situata e krijuar është e pakuptueshme. Insistimi shumë herë me radhë i Vetëvendosjes që të votohet Albulena Haxhiu është sa i pakuptimtë, aq edhe i dëmshëm. I pakuptimtë, sepse nëse nuk ka vota të mjaftueshme duhet bërë kompromis për t’i siguruar ato, kurse i dëmshëm sepse po vonohet krijimi i institucioneve të reja, që nënkupton edhe pasoja të drejtpërdrejta për jetën e qytetarëve. Duke parë këmbëngulësinë e Vetëvendosjes për Haxhiun krijohet përshtypja se fati i Kosovës dhe qytetarëve varet nga zgjedhja e saj në krye të Kuvendit. Thua se s’ka tjetër veç Haxhiut që do të mund ta marrë atë pozitë, thua se ajo është politikane e një kalibri të lartë, e suksesshme sa s’ka. Ndërkaq, realiteti është ndryshe.
* * *
Në të dyja rastet viktima janë qytetarët. Në të parin ata kanë votuar në atë mënyrë, që krijimi i institucioneve kërkon kompromis, jo bllokadë as arrogancë. Në të dytin qytetarët e Prishtinës po kërkojnë gjënë më të thjeshtë të mundshme: të pastrohet bërlloku që po ua rrezikon shëndetin.
Në të dyja rastet qytetarët janë viktima të politikanëve të papërgjegjshëm. Në të parin Albin Kurti dëshiron të ketë gjithçka për vete dhe të qeveris vetëm. Në të dytin ashiqare bëhet fjalë për interesa financiare. Ndryshe nuk ka se si të kuptohet gara se kush po e bën bërllok më shumë – beteja se kush është më i fortë për ta bërë bërllok.