Këtë të hënë u mbajt ceremonia e betimit të gjyqtarit Jeton Bytyqi para presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe në prezencë të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Cakaj.

“Gjyqtari Bytyqi është betuar se do t’i qëndrojë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe se do t’i respektojë rregullat e etikës profesionale”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Osmani e ka uruar Bytyqin për rolin e ri si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe ka theksuar rëndësinë e integritetit dhe paanshmërisë së gjyqtarëve të këtij institucioni.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka propozuar Jeton Bytyqin kandidat për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Me procedurë të votimit të fshehtë, gjithsej votuan 96 deputetë, ku 69 vota ishin për Bytyqin, 19 vota për kandidatin tjetër, Selman Ymeri, ndërsa 8 ishin të pavlefshme.

Në këtë seancë, ka kaluar edhe propozimi për tre anëtarët vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Me vota 63 për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i zgjodhi anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.