Biden bisedon me homologun meksikan për emigrimin

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka biseduar me homologun e tij meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, lidhur me bashkëpunimin për politikën e emigrimit, teksa lideri amerikan ende nuk ka vendosur nëse do të ndërmarrë ndonjë veprim ekzekutiv për të ulur numrin e emigrantëve që hyjnë në SHBA përmes kufirit jugor të shtetit.

Pas bisedës telefonike, që u zhvillua me kërkesë të Bidenit, përmes një deklarate të përbashkët, dy udhëheqësit thanë se biseduan për përpjekjet e përbashkëta për të “menaxhuar në mënyrë efektive” emigrimin dhe për të “forcuar efikasitetin operacional” në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës.

“Ne bisedojmë në mënyrë periodike. Ai më thërret, unë e thërras”, tha Lopez Obrador gjatë një konference për media të hënën.

Udhëheqësi meksikan tha se të dyja shtetet kanë bërë përparim në kontrollin e emigrimit të pautorizuar, duke i bindur shumë emigrantë që të mos përdorin metoda të paligjshme për të lëvizur nga shteti në shtet. Ai po ashtu mirëpriti vendimin e Gjykatës Supreme amerikane, që u mor në janar. Sipas këtij vendimi, agjentët e kontrollit kufitar mund të heqin telat me gjemba që shteti i Teksasit vendosi përgjatë kufirit, si mënyrë për të penguar emigrantët.

Në deklaratën e përbashkët, Biden dhe Lopez Obrador thanë se kanë urdhëruar këshilltarët e tyre të sigurisë kombëtare që “menjëherë” të marrin masa konkrete për të ulur numrin e kalimeve të paligjshme kufitare, megjithëse nuk dhanë më shumë detaje. Por, në deklaratë u tha se kjo politikë do të mbrojë të drejtat e njeriut.

Që nga kolapsimi i legjislacionit për kufirin në Kongres më herët gjatë këtij viti, Shtëpia e Bardhë nuk e ka përjashtuar mundësinë që Biden të lëshoi një urdhër ekzekutiv për rregullat e azilit, me qëllim që të ulë numrin e emigrantëve në kufirin jugor të SHBA-së.

Sipas shifrave të fundit, numri i kalimeve ilegale të kufirit ka rënë, pasi në dhjetorin e vitit të kaluar u arrit rekordi prej 250.000, teksa zyrtarët meksikanë kanë rritur përpjekjet e tyre për të parandaluar emigrimin ilegal./RadioEvropaLire

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika