Biden dhe Scholz pritet të takohen në Shtëpinë e Bardhë
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të vizitojë të premten Shtëpinë e Bardhë për një takim me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në kohën kur të dy udhëheqësit shprehën shqetësimet e tyre se Kina mund të furnizojë me armë Rusinë për luftën e saj në Ukrainë. Një veprim i tillë nga Kina […]
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të vizitojë të premten Shtëpinë e Bardhë për një takim me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në kohën kur të dy udhëheqësit shprehën shqetësimet e tyre se Kina mund të furnizojë me armë Rusinë për luftën e saj në Ukrainë.
Një veprim i tillë nga Kina mund të ndryshojë potencialisht trajektoren e luftës, duke lejuar Moskën të plotësojë rezervat e saj të varfëruara të armatimeve.
Gjatë një fjalimi në Parlamentin e Gjermanisë, Scholz i bëri thirrje Kinës që të përdorë ndikimin e saj në Moskë, për të bërë presion për tërheqjen e trupave ruse dhe njëherit, për të mos furnizuar me armë Rusisë.
Kina është partneri kryesor tregtar i Gjermanisë, dhe kombet evropiane, në përgjithësi, kanë qenë më të kujdesshme se Shtetet e Bashkuara në marrjen e një qëndrimi të ashpër ndaj Pekinit.
SHBA dhe Gjermania kanë punuar ngushtë së bashku për të furnizuar Ukrainën me ndihmë ushtarake dhe humanitare, por gjithashtu ka pasur fërkime për çështje të sigurimit të tankeve, dhe Uashingtoni herë pas here është frustruar me hezitimin e Berlinit.
Takimi pritet të jetë kokë më kokë, ku Biden dhe Scholz mund të jenë të vetmit njerëz në dhomë për pjesën më të madhe të kohës, transmeton REL.
I pyetur për rrethanat e vizitës së tij, Scholz tha se ai dhe Biden “duan të flasin drejtpërdrejt me njëri -tjetrin”, dhe ai përshkroi situatën e krijuar si “një situatë globale ku gjërat janë bërë shumë të vështira”.
Scholz ka hedhur poshtë çdo nocion mosmarrëveshje midis aleatëve.















