Biden i thotë Netanjahut se mbështetja amerikane për luftën varet nga masat e reja për mbrojtjen e civilëve

Presidenti Joe Biden i tha kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se e ardhmja e mbështetjes amerikane për luftën në Gazë varet nga masat e reja

Presidenti i ShBA-ve, Joe Biden dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. Foto: AP

Presidenti Joe Biden i tha kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të enjten se e ardhmja e mbështetjes amerikane për luftën në Gazë varet nga masat e reja që do të merren për mbrojtjen e civilëve dhe të punonjësve humanitarë.

Dy zyrtarët zhvilluan një bisedë telefonike disa ditë pasi sulmet izralite vranë 7 punonjës humanitarë në Gazë, duke shtuar një tjetër ndërlikim në marrëdhënien e tendosur në mes tyre.

“Ai e bëri të qartë nevojën që Izraeli të njoftojë dhe të zbatojë masa të reja, konkrete, të veçanta dhe të qarta për të mbrojtur civilët dhe punonjësit e ndihmave”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë pas bisedës në mes të dy udhëheqësve. “Ai e bëri të qartë se politika e SHBA-së lidhur me Gazën do të përcaktohet nga vlerësimi ynë mbi veprimet e menjëhershme të Izraelit për marrjen e këtyre masave”.

Demokrati Biden, po ashtu, i kishte thënë kryeministrit Netanyahu se “një armëpushim i menjëhershëm është kyç” dhe i kishte bërë thirrje Izraelit të arrinte një marrëveshje “pa vonesë”, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Biseda në mes tyre u zhvillua pasi organizata World Central Kitchen, e themeluar nga José Andrés për të dërguar ushqime në zonat e shkatërruara, bëri thirrje për një hetim të pavarur lidhur me sulmet izraelite që vranë 7 punonjësit humanitarë, në mes tyre edhe një qytetar amerikan.

Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë në plan të kryejnë vetë hetime, ndërsa i bënë thirrje Izraelit të shtojë përpjekjet për të shmangur vrasjen dhe plagosjen e civilëve të pafajshëm dhe të punonjësve humanitarë ndërsa kryen operacionet në Gazë.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u tha gazetarëve në Bruksel se mbështetja amerikane do të reduktohej nëse Izraeli nuk do të bënte ndryshime domethënëse në mënyrën se si po zhvillon luftën.

“Nëse nuk shohim ndryshimet e nevojshme, atëherë do të ketë ndryshim të politikave tona”, tha sekretari Blinken.

Organizata World Central Kitchen tha të enjten se i është drejtuar Australisë, Britanisë, Kanadasë, Polonisë dhe Shteteve të Bashkuara që ato të kërkojnë “një hetim të pavarur, nga palë të treta për sulmin, që të përcaktojë gjithashtu nëse sulmi është kryer me paramendim dhe nëse është shkelur ligji ndërkombëtar”.

Në mes të vrarëve në sulmin e së hënës ishin tre shtetas britanikë, një shtetas polak, një australian, një palestinez dhe një person me shtetësi kanadezo-amerikane.

“Hetimi i pavarur është e vetmja rrugë për të mësuar të vërtetën e asaj që ndodhi, për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie për ata që janë përgjegjës dhe për të parandaluar sulmet e ardhshme ndaj punonjësve të ndihmës humanitare”, tha përmes një deklarate organizata World Central Kitchen.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, tha se ligjet ndërkombëtare e përcaktojnë qartë se punonjësit e ndihmave duhet të jenë në gjendje të ofrojnë ndihmë pa rrezikuar jetën.
Kryeministri polak, Donald Tusk, tha në një konferencë shtypi të enjten se Polonia pret shpjegime mbi atë që ndodhi, si edhe që familjet e viktimave të dëmshpërblehen.

Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit në 7 tetor, sipas autoriteteve izraelite, la të vrarë 1200 persona, ndërsa rreth 250 të tjerë u morën peng.

Kundërofensiva izraelite, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi, ka lënë të vrarë 33,037 njerëz. /VoA

 

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika