Biden mbron vendimin për t’i dërguar Ukrainës bomba thërrmuese

Ndonëse bombat thërrmuese janë të ndaluara nga më shumë se 120 vende të botës, Biden tha se një vendim i tillë erdhi pasi ukrainasve po u mbarojnë municionet

Presidenti Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka mbrojtur “vendimin e tij shumë të vështirë” për t’i dhënë Ukrainës bomba thërrmuese, të cilat kanë një histori të vrasjes së civilëve.

Biden tha se iu desh një kohë për ta bindur veten për marrjen e këtij vendimi, por që një i tillë vinte pasi ukrainasve po u mbarojnë municionet.

Bombat thërrmuese janë të ndaluara nga më shumë se 120 vende të botës.

Në një intervistë për CNN të premten, Biden deklaroi se një vendim i tillë erdhi pas një koordinimi me aletatët, një diskutim në prag të një samiti të NATO-s në Lituani javën e ardhshme.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, tha në konferencën e përditshme të Shtëpisë së Bardhë të së premtes se zyrtarët “e pranojnë se municionet thërrmuese krijojnë një rrezik të dëmtimit të civilëve” nga bombat e pashpërthyera.

“Kjo është arsyeja pse ne e kemi shtyrë vendimin për aq kohë sa mundëm”, tha ai, transmeton BBC.

Sullivan tha se Ukrainës po i mbaronte artileria dhe kishte nevojë për furnizime, ndërsa SHBA-ja rrit prodhimin vendas.

“Ne nuk do ta lëmë Ukrainën të pambrojtur në asnjë moment në këtë periudhë konflikti,” tha ai.

Municionet kanë shkaktuar polemika mbi shkallën e dështimit të tyre, që do të thotë se bombat e vogla të pashpërthyera mund të qëndrojnë në tokë për vite dhe pa dallim të shpërthejnë më vonë.

Sullivan u tha gazetarëve se bombat thërrmuese amerikane që dërgoheshin në Ukrainë ishin shumë më të sigurta se ato që ai tha se tashmë po përdoreshin nga Rusia në konflikt.

Masa e Biden-it do të anashkalojë ligjin amerikan që ndalon prodhimin, përdorimin ose transferimin e municioneve thërrmuese me një shkallë dështimi prej më shumë se 1%.

Në fillim të luftës, kur Shtëpia e Bardhë u pyet për pretendimet se Rusia po përdorte bomba thërrmuese dhe vakum, sekretari i atëhershëm i shtypit tha se do të ishte një “krim lufte” i mundshëm nëse ishte i vërtetë.

Më shumë se 120 vende janë zotuar ndaj Konventës për Municionet Thërrmuese, duke rënë dakord të mos përdorin, prodhojnë, transferojnë ose ruajnë pajisje të tilla. SHBA-ja, Ukraina dhe Rusia nuk janë palë në marrëveshje.

Gjermania, e cila ka nënshkruar traktatin e ndalimit, tha se nuk do t’i jepte bomba të tilla Ukrainës, por shprehu mirëkuptim për qëndrimin amerikan.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika