Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se mbështet marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa “Liria Ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bashkësia Islame e Kosovës ka thënë se beson fuqishëm në pastërtinë e luftës së drejtë të UÇK-së dhe vlerëson lart sakrificën e UÇK-së për lirinë e vendit, si një nga vlerat më të larta e të shenjta të popullit tonë.

Po ashtu, BIK-u ka ftuar të gjithë besimtarët që në shenjë respekti e vlerësimi për sakrificën sublime të UÇK-së, dhe për hir të të gjithë atyre dëshmorëve që dhanë jetën për liri të dalin dhe të marshojnë për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

“Me këtë rast, Bashkësia Islame e Kosovës, fton dhe bën apel te të gjithë besimtarët që në shenjë respekti e vlerësimi për sakrificën sublime të UÇK-së, dhe për hir të të gjithë atyre deshmorëve që dhanë jetën për liri, të marshojmë të gjithë së bashku për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, në mënyrë që t’i dalim zot vlerave tona të shenjta”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.

Ndër të tjera, siç ka njoftuar Bashkësia Islame e Kosovës, nesër, në hytben e xhumasë, në të gjitha xhamitë e Kosovës do t’u bëjë thirrje besimtarëve t’i bashkohen marshit për drejtësi.