Bisedimet për armëpushim në Gaza, delegacionet e Izraelit dhe Hamasit nisin raundin e ri në Katar
Delegacionet nga Izraeli dhe Hamasi kanë nisur një raund të ri bisedimesh indirekte në Katar, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit, për të arritur një marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për lirimin e pengjeve. Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është nisur për në Uashington, ku do të takohet me presidentin amerikan, Donald […]
Delegacionet nga Izraeli dhe Hamasi kanë nisur një raund të ri bisedimesh indirekte në Katar, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit, për të arritur një marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për lirimin e pengjeve.
Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është nisur për në Uashington, ku do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump.
Netanyahu ka deklaruar se shpreson që takimi me Trumpin do të ndihmojë në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e më shumë pengjeve, si dhe për vendosjen e një armëpushimi të ri.
Ai tha se u ka dhënë negociatorëve izraelitë “instruksione të qarta” që të punojnë për një marrëveshje, por vetëm brenda kushteve që Izraeli i ka vendosur më parë.
Nga ana tjetër, Hamasi ka konfirmuar se i është përgjigjur pozitivisht propozimit të fundit amerikan, por dallimet mes palëve mbesin të thella.
Hamasi kërkon një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza – kërkesa këto që Izraeli i ka refuzuar vazhdimisht.
Në prag të takimit me Trumpin, Netanyahu përsëriti qëndrimin e tij duke përmendur tri objektiva kryesore të Izraelit:
1. Lirimi i të gjithë pengjeve – të gjallë apo të vdekur
2. Shkatërrimi i kapaciteteve të Hamasit dhe dëbimi i tij
3. Sigurimi që Gaza të mos jetë më kërcënim për Izraelin
Bisedimet në Katar dhe përpjekjet diplomatike ndërkombëtare përballen me sfida të mëdha, pasi kushtet e kundërta mes palëve kanë bllokuar të gjitha iniciativat që nga dështimi i armëpushimit të fundit në muajin mars.
Që prej 7 tetorit 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë rreth 1,200 persona dhe duke marrë 251 pengje, Izraeli ka ndërmarrë një fushatë të gjerë ushtarake në Gaza.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi, mbi 57 mijë persona janë vrarë nga sulmet izraelite që atëherë./BBC















