Pas një periudhe të shkurtër kur dukej se po shkonin drejt dështimit, bisedimet për zbatimin e marrëveshjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë rinisur. Delegacione të larta amerikane dhe iraniane po mblidhen në Zvicër në atë që mund të rezultojë një fazë vendimtare në shndërrimin e një memorandumi të brishtë të mirëkuptimit në një zgjidhje më të gjerë politike.
Përpjekja e ripërtërirë diplomatike erdhi pas ndërhyrjes urgjente të zyrtarëve nga Zvicra dhe Katari, pasi pasiguria rreth pjesëmarrjes së Iranit kishte shkaktuar përkohësisht ndërprerje të takimeve.
Këshilltari federal zviceran, Ignazio Cassis, zhvilloi konsultime me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, në Burgenstok, teksa Radio Evropa e Lirë mësoi se ndërmjetësues pakistanezë dhe ndihmës të lartë nga Uashingtoni dhe Teherani u përfshinë gjithashtu në përpjekjet për ta shpëtuar procesin.
Më 20 qershor, ekspertët teknikë kishin rifilluar takimet përgatitore në resortin zviceran, ndërsa Zvicra konfirmoi publikisht se bisedimet ishin aktive.
“Zvicra vazhdon të ofrojë një mjedis diskret dhe të besueshëm për të lehtësuar bisedimet në Burgenstok mbi zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet SHBA-së dhe Iranit”, tha Qeveria zvicerane, duke refuzuar të japë hollësi të tjera.
Më vonë, si Uashingtoni ashtu edhe Teherani konfirmuan se negociatorët e tyre do të udhëtonin drejt Zvicrës.
Bisedimet rinisin nën presion
Deri në mbrëmjen e 20 qershorit, delegacioni i nivelit të lartë i Iranit kishte mbërritur në Cyrih përpara bisedimeve që pritet të nisin më 21 qershor.
Ekipi udhëhiqet nga kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, dhe përfshin ministrin e Jashtëm, Abbas Araghchi, zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghaei, si dhe zyrtarë të lartë të sektorëve bankar dhe të naftës – duke vënë në pah se lehtësimi i sanksioneve dhe rimëkëmbja ekonomike mbeten në qendër të llogaritjeve të Teheranit.
Nga ana amerikane, nënpresidenti JD Vance, pritet t’i bashkohet të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff, dhe këshilltarit presidencial Jared Kushner, të cilët tashmë ndodhen në terren duke punuar mbi detajet teknike të negociatave.
Duke folur me gazetarët përpara nisjes nga baza ajrore Andrews më 20 qershor, nënpresidenti amerikan Vance, tha se bisedimet do të përqendrohen në dy prioritete: programin bërthamor të Iranit dhe stabilizimin e Libanit.
“Mendoj se shpresojmë të bëjmë përparim në çështjen bërthamore dhe të bëjmë përparim në çështjen e armëpushimit në Liban. Këto janë dy çështjet kryesore te të cilat besoj se do të përqendrohemi”, tha Vance.
Ai shtoi se pret që negociatat të zgjasin “disa ditë”.
Deklaratat e tij vënë në pah se sa ngushtë është ndërlidhur fronti i Libanit – dhe përballja e Izraelit me Hezbollahun – me procesin më të gjerë diplomatik ndërmjet SHBA-së dhe Iranit.
Libani mbetet pika kyç e mosmarrëveshjeve
Victor J. Willi, drejtor ekzekutiv i Institutit e Zvicrës për Lindjen e Mesme, tha se vetë fakti që bisedimet rifilluan pas ndërprerjeve tregon një realitet themelor strategjik: si Uashingtoni, ashtu edhe Teherani duan t’i japin fund luftës, që nisi në fund të shkurtit.
“Unë mendoj se administrata e [presidentit amerikan Donald] Trumpit është serioze në përpjekjen për të dalë nga kjo luftë”, tha Willi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. “Nuk është një luftë popullore. Ajo e dëmton Trumpin. Potencialisht mund ta dëmtojë edhe në zgjedhjet e mesmandatit”.
Ai tha se edhe Teherani duket po aq i motivuar për t’i dhënë fund luftës.
“Mendoj gjithashtu se iranianët duan të dalin nga kjo luftë”.
Megjithatë, Willi paralajmëroi se struktura e çdo marrëveshjeje mbetet e brishtë për shkak të asaj që ai e quajti “çështja libaneze”.
“Çështja kyç është Libani, çështja kyç është Izraeli”, tha ai.
Sipas tij, Teherani tani po teston në mënyrë efektive nëse Uashingtoni është i gatshëm – dhe i aftë – të frenojë operacionet ushtarake izraelite mjaftueshëm sa për të ruajtur kornizën më të gjerë të paqes.
Ky vlerësim përputhet ngushtë me deklaratat e vetë nënpresidentit amerikan, JD Vance. I pyetur nëse rifillimi i luftimeve në Liban mund të pengonte procesin diplomatik, Vance këmbënguli se situata po përmirësohej.
“Në fakt, gjërat po përmirësohen atje dhe po qetësohen disi”, tha Vance duke shtuar se armëpushimi do të kërkojë menaxhim dhe mbikëqyrje të vazhdueshme.
Për Willin, kjo mbivendosje e çështjeve është e rëndësishme, sepse: sugjeron se të dyja palët e kuptojnë që Libani mund të jetë faktori më i menjëhershëm që do të përcaktojë nëse afati 60-ditor për zbatimin e marrëveshjes do të mbijetojë.
Ai po ashtu paralajmëroi se politika e brendshme në Izrael mund ta ndërlikojë procesin.
“Brenda Izraelit ekziston mbështetje e gjerë. Izraelitët duan që regjimi iranian të largohet” nga pushteti, tha Willi.
Sipas tij, kjo krijon ato që ai e përshkroi si realitete politike konkurruese – një në Uashington, një në Teheran dhe një tjetër në Jerusalem – të cilat mund të mos përputhen lehtësisht me njëra-tjetrën.
Inspektime, lehtësim sanksionesh
Bisedimet teknike pritet të përqendrohen po në rikthimin e inspektimeve nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) në objektet bërthamore të Iranit, përfshirë në centralin për pasurim të karburantit në Fordo, në centralin bërthamor të Natanzit dhe në qendrën për teknologji bërthamore të Isfahanit.
Një qasje e tillë do të shënonte rikthimin e parë të inspektorëve që nga lufta 12-ditore e qershorit 2025.
Në këmbim, Uashingtoni është i gatshëm të lirojë disa miliardë dollarë nga asetet iraniane që janë të ngrira në Katar, të cilat do të përdoreshin për blerje për çështje humanitare, përfshirë ushqime dhe ilaçe.
Sipas Willit, kjo shtresë teknike e negociatave mund të përcaktojë në fund nëse memorandumi do të shndërrohet në një marrëveshje të mirëfilltë.
“Nëse duhet të ketë një përfundim të besueshëm të programit bërthamor, duhet të ekzistojë një regjim inspektimi”, tha ai.
Ai paralajmëroi se memorandumi i nënshkruar nga udhëheqësit e SHBA-së dhe Iranit në fillim të javës mbetet vetëm një kornizë e gjerë politike.
“Është një tekst i thjeshtë për tituj mediash”, tha ai. “Kjo është diçka shumë e ndryshme nga një marrëveshje e vërtetë”.
Willi gjithashtu paralajmëroi se vetë lehtësimi i sanksioneve do të jetë një nga pjesët më të vështira të zbatimit.
“Nuk mund të jetë thjesht një dekret presidencial”, tha ai, duke argumentuar se për rikthimin e investimeve perëndimore mund të nevojiten ndryshime më të gjera ligjore dhe në fund, edhe veprim nga Kongresi.
Ai theksoi se pikërisht kjo boshllëk – mes deklaratave politike dhe zbatimit teknik – është hapësira ku shumë marrëveshje të mëparshme SHBA-Iran kanë dështuar.
Ngushtica e Hormuzit shfaqet si test
Rifillimi i përpjekjeve diplomatike vjen po ashtu në një moment tensionesh të reja rreth Ngushticës së Hormuzit, pasi Teherani ka bërë hapa sërish për të kufizuar trafikun detar në këtë rrugë strategjike.
Presidenti Trump tha se Irani nuk duhet të vendosë tarifa për anijet tregtare që kalojnë nëpër ngushticë dhe paralajmëroi se Uashingtoni mund të reagojë nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Për Willin, Hormuzi mund të ofrojë treguesin më të qartë dhe të matshëm nëse Teherani po ndryshon sjelljen e tij.
“Ngushtica e Hormuzit është ndryshimi më i matshëm i sjelljes”, u shpreh ai.
Ai shtoi se nëse sulmet ndaj transportit detar ndalen dhe vendoset një regjim i besueshëm që rregullon kalimin detar, kjo mund të jetë një nga shenjat e para konkrete se diplomacia po funksionon.
Kjo do të kishte po ashtu ndikim të menjëhershëm për tregjet globale të energjisë, duke pasur parasysh se rreth një e katërta e naftës dhe gazit botëror kalon përmes këtij korridori të ngushtë ujor.
Evropa vëzhgon me kujdes
Rifillimi i bisedimeve e vendos sërish Evropën – dhe veçanërisht Zvicrën – në rolin e mikpritëses, më shumë sesa të ndërmjetëses.
Zvicra, sipas Willit, vazhdon të luajë rolin e ofrimit të “zyrave të mira”, duke ofruar vendin, logjistikën dhe sigurinë, ndërsa Katari dhe Pakistani mbajnë peshën më të madhe të ndërmjetësimit diplomatik.
Megjithatë, ai argumentoi se lufta më e gjerë 110-ditore ka dhënë një mësim strategjik për Evropën: ka nevojë që të jetë më e vetëqëndrueshme.
“Evropianët duhet të mbështeten më shumë te vetja”, tha ai duke iu referuar një shtyse më të gjerë për riarmatim dhe rënie të besimit në garancitë afatgjata të sigurisë nga SHBA-ja.
Ai shtoi se ky mësim mund të zgjasë përtej negociatave aktuale.
Për momentin, pyetja me të cilën po përballet diplomacia në Burgenstok është më e ngushtë, por jo më pak vendimtare: a mundet që 60 ditët e ardhshme ta shndërrojnë një memorandum, të arritur në kohë lufte, në një arkitekturë të qëndrueshme paqeje?
Si Uashingtoni ashtu edhe Teherani duket se besojnë se hyjnë në këto bisedime nga pozita e forcës.
Por, teksa delegacionet mblidhen në Zvicër, sfida për të dyja palët mbetet e njëjtë: shndërrimi i avantazhit ushtarak në paqe afatgjatë politike./Radio Evropa e Lire