Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Bisnik Bislimi përmes një postimi në Facebook, ka thënë që do të ndahen rreth 12 milionë euro për të mundësuar një sistem të kompletuar të të dhënave statistikore.

“Rreth 12 milionë euro do të ndahen për të mundësuar që të kemi një sistem të kompletuar të të dhënave statistikore, në linjë me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe shtetërore”.

“Rregulloret ndërkombëtare dhe EU acquis në fushën e statistikave, kërkojnë nga sistemet kombëtare statistikore një infrastrukturë të bazuar në parimet bazë si paanshmëria, besueshmëria, transparenca, konfidencialiteti i të dhënave dhe publikimi i statistikave zyrtare”, ka shkruar Bislimi.

Procesi i Regjistrimit të Popullsisë dhe i të dhënave do të ndihmojnë në gjenerimin e indikatorëve të rëndësishëm të matjes së zhvillimit njerëzor, për të kuptuar më qartë nevojat e qytetarëve tanë, dhe për të hartuar politika të drejta bazuar në kërkesa reale për përmirësim të jetës në sektorë të ndryshëm në vend.

Ndërsa për dallim nga regjistrimi i vitit 2011, regjistrimi i ardhshëm në 1 shtator 2023, do të aplikojë qasjen inovative të implementimit përmes digjitalizimit të procesit të mbledhjes, analizimit dhe shpërndarjes së të dhënave statistikore.