Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka shprehur bindjen se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës janë të përkohshme, duke theksuar se vendi ka arritur të zgjidhë probleme të përhershme.

Bislimi ka thënë se marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, duke përfshirë ato për targat dhe energjinë, sipas tij, janë si prova të suksesit të qeverisë.

“Ti ke nënshkruar në Bruksel marrëveshje për targat, ke nënshkruar në Bruksel marrëveshje për energjinë e si qenka hidhërim me aleatin për ta zbatuar marrëveshjen kur bashkë me të e nënshkruam në Bruksel, është i pakuptimtë reagimi. Ne nuk qeverisim me idenë nëse do t’i pëlqejë opozitës apo jo. Ne kemi masa të Komisionit Evropian që janë të përkohshme dhe të kthyeshme. Kemi zgjedhur probleme të përhershëm. Kështu duhet të gjykohet kjo”, ka thënë ai për KTV-në.

Mes të tjerash, Bislimi ka thënë se Brukseli zyrtar ka gabuar kur ka deklaruar se serbët në veri s’do të mund t’i regjistronin veturat me targat RKS për tre javë, pasi, sipas tij, kjo nxiti tensione.

Ai ka shtuar se periudha prej tri javëve ishte e mjaftueshme që serbët t’i konvertonin targat.

Sipas zëvendëskryeministrit, çështja e targave nuk ka rezultuar të jetë problem as për qytetarët serbë në veri dhe as për Qeverinë e Kosovës.